Ballina Aktualitet Video pafund nga ministrja për “shëndetësinë që funksionon”, por a zbuloi tragjedia...

Video pafund nga ministrja për “shëndetësinë që funksionon”, por a zbuloi tragjedia e Himarës të vërtetën?

49
0

Ndërsa prej muajsh Ministria e Shëndetësisë publikon pothuajse çdo ditë video që promovojnë sukseset e sistemit shëndetësor, një ngjarje tragjike në Himarë po ngre pikëpyetje të forta mbi gatishmërinë reale për të përballuar urgjencat mjekësore në kulmin e sezonit turistik.

Më 30 korrik, një turiste gjermane, 33 vjeçe, u ndje keq në hotelin ku po qëndronte në Himarë. Ambulanca mbërriti dhe iu dha ndihma e parë, por gjendja e saj kërkonte transport urgjent drejt një spitali të specializuar.

Sipas informacioneve të publikuara, u kërkua ndërhyrja e helikopterit. Megjithatë, ai nuk mundi të ulej në Himarë, pasi stadiumi, që më parë është përdorur për raste të tilla, ndodhet në rikonstruksion dhe nuk kishte një alternativë të gatshme. Pas përpjekjeve për të gjetur një vend uljeje, u vendos që helikopteri të ulej në Palasë, ndërsa pacientja të transportohej me autoambulancë. Fatkeqësisht, ajo humbi jetën gjatë transportit. Shkaqet e vdekjes pritet të përcaktohen nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Policia e Shtetit deklaroi se qytetares iu dha ndihma mjekësore dhe se bëhet fjalë për një vdekje nga shkaqe natyrore. Megjithatë, ky njoftim nuk i jep përgjigje pyetjeve që lindin për mënyrën si u menaxhua emergjenca.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë të shumta:

* Si është e mundur që Himara, një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit, të mos ketë një spital të aftë për të përballuar urgjencat e rënda?
* Pse nuk ekziston një pistë e dedikuar për uljen e helikopterëve të emergjencës?
* Në momentin që stadiumi u kthye në kantier ndërtimi, a ishte parashikuar një zgjidhje alternative për evakuimet ajrore?
* A është hartuar një plan funksional për emergjencat gjatë sezonit turistik, kur popullsia e zonës shumëfishohet?
* A mund të konsiderohet i përgatitur sistemi i urgjencës nëse një pacient në gjendje kritike duhet të transportohet me kilometra për të arritur te helikopteri?
* Dhe mbi të gjitha: a mjaftojnë videot promocionale të Ministrisë së Shëndetësisë për të bindur qytetarët se sistemi funksionon, kur një ngjarje e tillë ngre kaq shumë pikëpyetje?

Këto pyetje nuk paragjykojnë shkakun e vdekjes së 33-vjeçares. Por ato kërkojnë transparencë dhe përgjigje, sepse në mes është besimi i qytetarëve dhe siguria e mijëra turistëve që vizitojnë bregdetin shqiptar çdo verë./vna