Ballina Dossier “Ish-ministri i Brendshëm Xoxe, që është larguar kohët e fundit nga qeveria...

“Ish-ministri i Brendshëm Xoxe, që është larguar kohët e fundit nga qeveria gjatë spastrimeve të partisë nga Enveri, thuhet se po fshihet në rajonin e Çermenikës…”- Raportet sekrete të CIA-s, në vitin 1950

31
0

Për CIA-n (Shërbimin Inteligjent Amerikan) jugosllavi Dushan Mugosha ka qenë një prej organizatorëve të Partisë Komuniste Shqiptare. Ka pasur shumë debate mbi rolin e tij dhe atë çfarë ka bërë në Shqipërinë komuniste, ndërsa tani edhe CIA ka hedhur dritë. Në një dokument të deklasifikuar për vitin 1952, thuhet se ai ishte pjesë e një lidhje kundër Enver Hoxhës në Jugosllavi dhe punonte kundër regjimit komunist të Tiranës. Po ashtu në dokument janë treguar dhe lidhjet që kishin shqiptarët me UDB-në, duke përmendur dhe disa emra spiunësh të shërbimit sekret serb. Në disa dokumente të tjera të po kësaj periudhe, tregohet dhe për rolin rus në vendin tonë.

Detyrat Operacionale

Sipas kuadrit të përcaktuar, urdhërohet që operacionet e CIAs në Shqipëri të kryhen sipas instruktimeve të mëposhtme. Këto detyra operacionale do të reflektojnë kërkesat e vëna mbi CIAn nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Departamenti i Mbrojtjes. Këto do të marrin në konsideratë kapacitetet e CIAs, të interpretuara sipas disa parimeve bazë:

Prioritetet shtetërore tregojnë sesi duhet të vihet theksi i veprimeve. Të mos neglizhohen detyrat e prioritetit të ulët gjatë kryerjes së detyrave me prioritet të lartë.

Gjatë mbledhjes së inteligjencës, duke përfshirë vëzhgimet dhe lëvizjet e tipit veprues, veprimet duhet të ndahen nga njëri-tjetri gjatë gjithë kohës, dhe burimet të përdoren sipas radhës së përcaktuar të prioriteteve në politikën kombëtare.

Potencialet për agjentë

Ekzistojnë kontakte mes disa oficerëve dhe dy anëtarëve të legatës shqiptare në Romë. Disa takime nuk kanë dhënë shumë shpresa për një dezertim të mundshëm, edhe pse njëri ka treguar mundësi të konvertimit. Ekzistojnë mjetet për përgjime audio por infiltrimi i fshehtë në ambasadat e Romës apo Parisit nuk është i mundur aktualisht. Në Paris mund të kryejmë përgjime por personel amerikan nuk ka të gatshëm.

Zakonisht në operacione të tilla nevojitet një pikë ndërlidhjeje, dhe jemi të informuar se mund të ketë komplikime. Ndërsa në Romë kemi pajisjet dhe personalin por për arsye të prioritetit të ulët të caktuar për Shqipërinë, në krahasim me zona të tjera, ka pak shanse të shfrytëzimit të tyre. Zakonisht kërkimi i agjentëve kushtëzohet nga mungesa apo lindja e mundësive të rastit. Ne do të vazhdojmë të kërkojnë dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që do të lindë.

Punime fortifikimesh në Shqipëri

Janar 1950

Zonat e Tomorrit, Lubesh, Kapinovë, janë tashmë të mbyllura për të gjitha lëvizjet dhe për të gjitha qëllimet. Ka pasur përshpejtime të dërgesave të materialeve për këtë zonë, si për shembull më 4 maj 1949 herët në mëngjes, rreth 29 kamionë me materiale kaluan përmes Beratit në drejtim të Çorovodës. Të gjitha mjetet ishin ushtarake dhe pranë shoferëve ishte ulur një zyrtar i sigurisë. Përveç kamionëve të mbuluar kishte dhe nga ata me kabllo elektrikë, që kanë udhëtuar vetëm natën.

Postblloku i parë në rrugën Berat-Çorovodë është instaluar në Urën “Revolucioni Proletar”. Që është rreth 300 metra në jug të Beratit. Postblloku i ardhshëm me personel të sigurisë është Quhajezi, që është një fshat i vogël me tre ferma (kooperativa?) nga i cili banorët janë larguar. Ai ndodhet rreth 7 km. në jug të Beratit. Në Berat ka dy pompa nafte, një prej të cilave shërben ekskluzivisht kamionëve që lëvizin në drejtimin Berat-Vertop. Kjo pompë lëshon rreth 650 litra karburant në ditë. Distanca mes Beratit dhe Vertop është 17 km.

Fortifikimet në Lumin Mat

Mati kalon përmes zonës Pllan-Milot dhe ka një urë 1300 metra që kryqëzon lumin pranë maleve Pllan e Milot. Kjo urë është ndërtuar në 1925 dhe është quajtur me emrin e Mbretit Zog, por tashmë quhet Ura e Matit. Mali Pllana në veriperëndim të urës është 500 metra i lartë dhe ka fortifikime nëntokësore me pozicione armësh të rënda që shikojnë nga veriu. Fortifikata ka dy hyrje.

Fortifikime ka gjithashtu në malin e vogël Maja e Kunorës, rreth 200 metra i lartë. Fortifikimet shikojnë nga fusha e Lezhës. Fshati Rubik ndodhet në bazën e këtyre maleve, zona është e minuar dhe atu gjendet dhe një kamp për guerilët. Mali Milotit në juglindje të urës është 600 metra i lartë. Këtu ka fortifikime të nëndheshme të nisura që në vitin 1931. Njëra hyrje është në anën jugore, rreth 200 metra larg fshatit Milot dhe tjetra në rrugën Tiranë-Shkodër.

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon regjimit komunist. CIA ka de klasifikuar një sërë dokumentesh të tjera mbi periudhën 1949-1951 dhe aty jepen detaje mbi situatën që ndodhte në Shqipërinë komuniste. Një rëndësi e madhe i është kushtuar dhe Koçi Xoxes. Ish-ministri i Brendshëm ka qenë ndër armiqtë më të mëdhenj të Enver Hoxhës.

Në vitin 1946 ai u bë ministër dhe e mbajti detyrën dy vjet, ndërsa më pas nisi luftën me regjimin. Sipas dokumenteve të CIA, ai qëndroi i arratisur në malet e Çermenikës, ndërsa ka deklaruar se ai kishte mbështetjen e jugosllavëve, ndërkohë që regjimi e akuzonte si spiun të UDB-së. Nga ana tjetër janë nxjerr dhe të dhëna të agjentëve që rekrutoi CIA në Shqipëri.

Shkurt 1949

Koci Xoxe raportohet se po fshihet në rajonin e Çermenikës

Ish-ministri i Brendshëm shqiptar që është larguar kohët e fundit nga qeveria gjatë spastrimeve të partisë, raportohet se po fshihet në rajonin e Çermenikës, një zonë malore në prefekturën e Elbasanit. Me të raportohet të jenë dhe rreth 250 ndjekës të cilët po përgatiten të nisin sulme kundër forcave të armatosura shqiptare. Ushtria jugosllave raportohet të lejojë Koçi Xoxen të kalojë lirisht kufirin brenda dhe jashtë vendit.

Korrik 1949

Raportohet se popullsia civile përgjatë rajoneve kufitare me Jugosllavinë po zhvendoset nga autoritetet. Zonat kufitare dhe të bregdetit të Prespës po shpallen zonë ushtarake dhe është ndaluar kultivimi i tyre. Në zonat e Mitiopolitit dhe Finiqit ka nisur ndërtimi i dy kampeve të reja me përmasa 1kmx2km. Qeveria po merr në konsideratë ndërtimin e një rruge automobilistike mes Finiqit dhe Sarandës.

Refugjatët jugosllavë komunistë që kalojnë kufirin drejt Shqipërisë, raportohet se e gjejnë veten të rekrutuar në brigadat e ushtrisë të komanduara nga sovjetikët. Raportime të pakonfirmuara flasin për krijimin në zonën e Shkodrës të katër brigadave të tilla, me masë të pakonfirmuar.

Aktivitete rezistence nëntor 1949

Më 8 tetor 1949 u raportuan luftime të ashpra në katundin Thirrë mes trupave qeveritare dhe rezistencës nacionaliste. Burimet flisnin për forca të shumta të rezistencës, pasi krerët e tyre ishin mbledhur për një konferencë të thirrur në Thirrë nga Ndue Pjetër Gjonmarkaj. Luftimet zgjatën dy ditë dhe u mbyllën me disfatën e forcave qeveritare.

Për të forcuar kontrollin ndaj zonave në veri të Shqipërisë qeveria e Hoxhës bëri disa ndryshime në qeveritë lokale. Nënprefektura e Mirditës u transferua nga Shupali në fushën e Lumthit. Bajrakët (komunat) e Kthellës dhe Selitës u vendosën nën juridiksionin e nënprefekturës së Matit. Bajraku i Fandit u vendos në juridiksionin e Kukësit. Tashmë nënprefektura e Dibrës ka vetëm tre bajrakë: Oroshi, Kushnen dhe Dibra.

Burimet raportojnë se rreth 50 anëtarë të Ballit Kombëtar që besohet se kanë hyrë në Shqipëri në mesin e tetorit, u tradhtuan te forcat qeveritare nga banorë besnikë të regjimit. Rreth 30 prej tyre u vranë dhe 20 të tjerët u kapën rob. Një brigadë refugjatësh shqiptarë të armatosur mirë dhe të stërvitur në Jugosllavi, të njohur si “Brigada e Koçi Xoxes” raportohet se janë stacionuar në kufirin shqiptar pranë liqenit të Shkodrës, duke pritur urdhër për të vepruar kundër qeverisë së Hoxhës

Tetor 1950

Gjatë muajve të korrikut e të gushtit 1950, komanda ushtarake e Shkodrës dha urdhrin që të gjitha armët gjermane, italiane, serbe greke e turke të lëshoheshin në pikën e bashkimit të lumenjve Drin e Buna. Nga to përjashtoheshin eksplozivët dhe armët automatike. Operacioni është kryer nën fshehtësinë e errësirës dhe u krye nga 12 njerëz të betuar për sekretin dhe të kërcënuar me vdekje në rast publikimi.

Shënim: Arsyet për këtë nuk janë të qarta, dhe as për faktin nëse armët ishin pjesë e forcave ushtarake apo të konfiskuara nga popullata civile. Raportimi nuk sinjalizon nëse armët po “lëshoheshin në ujë” për t’u shkatërruar apo të mbrojtura me qëllim rikuperimin e tyre të mëvonshëm. Po bëjmë përpjekje nëse ka veprime të tilla ose të ngjashme në pjesë të tjera të vendit.

Më 25 gusht pesë anti-komunistë u arratisën nga burgu i prefekturës së Rrëshenit. Pjetër Kodeli ia doli të arratisej ndërsa Shkurt Prenga dhe Marka Preng Vorfi u vranë. Më 18 shtator 1050 forcat qeveritare u përballën në Simon me grupe anti-komunistësh të udhëhequr nga Gjon Frrok Kurbini, nga Kryeziu. Nga përplasja u vranë tre ushtarë të qeverisë dhe nacionalisti Mark Llusku nga Munegu. Në shtator 1950 u arrestuan në veri të Shqipërisë anti-komunsitët Nikoll Pjetri, Gjon Karaqi, Ndue Llesh Karaci, Zef Marka Nikolli dhe Ndoc Dod Qafa.

Nëntor 1950

Kemi marrë informacione për më shumë se 2000 guerilë grekë komunistë të vendosur diku në rrugën Tiranë – Shkodër. Në javën e parë të shtatorit rreth 120 prej tyre u transferuan në Korçe dhe rreth 150 në Gjirokastër. Ata që mbetën në rrugën Tiranë-Shkodër raportohet se po marrin trajnim ushtarak në vendndodhje të paspecifikuara, rreth 25 kilometra në veri të Tiranës. Janë disa patrulla guerilasish grekë që kontrollojnë rrugën Elbasan-Librazhd-Pogradec.

Raportohet se rreth 1200 guerilas janë përfshirë në ushtrinë shqiptare për të përforcuar regjimin e parashtruar nga Kominform. Në lidhje me këtë, në ushtri kanë vazhduar spastrimet e elementëve të dyshueshëm, ndërsa edhe dezertimet kanë qenë gjithnjë e më të shpeshta. Në 15 gusht 1950, një grup anti-komunistësh të drejtuar nga Hysni Belishova, sulmoi me sukses kazermat e Pogradecit dhe shkatërroi materialin luftarak që i përkiste rebelëve grekë.

Informacionet tregojnë se elementët e guerrilasve grekë janë përfshirë në Brigadat speciale të Ndjekjes së regjimit komunist. Gjatë natës së 2-3 prillit një post i rëndësishëm policie u sulmua në veri të Librazhdit nga një grup prej 22 vetash nacionalistë, të drejtuar nga njëfarë Blloshmi, ata morën kontrollin e postës policore dhe vranë komandantin. Mes dokumenteve të gjetura në ndërtesë ishte dhe një urdhër për të ndaluar çdo aktivitet të rezistencës në rajon dhe të raportonin pa vonesë për çdo të dyshuar mes popullatës apo dhe mes vetë anëtarëve të policisë, që mund të influencojë apo sabotojë zgjedhjet./ Memorie.al