Ballina Aktualitet “Jo bashkimit me Pukën”/ Banorët e Fushë-Arrëzit protestojnë kundër hartës së re...

“Jo bashkimit me Pukën”/ Banorët e Fushë-Arrëzit protestojnë kundër hartës së re territoriale

45
0

Banorët e Fushë-Arrëzit kanë dalë sot në protestë kundër propozimit të PS-së për ndarjen e re territorial.

Banorët kundërshtojnë bashkimin e bashkisë së Fushë-Arrëzit me bashkinë e Pukës, pasi sipas tyre, ky riorganizim do të largojë edhe më shumë shërbimet nga banorët e zonës.

Në protestë, kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, kundërshtoi reduktimin e bashkive, duke deklaruar se problemi nuk është ndarja e hartës, por mungesa e kompetencave dhe financave për pushtetin lokal.

Mëlyshi tha se largimi i institucioneve nga qytetarët po i detyron banorët të udhëtojnë drejt qendrave të mëdha për shërbime bazë, ndërsa paralajmëroi se shkrirja e bashkive rrezikon të thellojë shpopullimin e zonave veriore.

Ai solli si shembull pasojat e reformës së vitit 2014-2015 në ish-komunat Fani, Kaçinari dhe Selita, duke kërkuar që debati të fokusohet te autonomia vendore, investimet dhe shërbimet pranë qytetarëve.

Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, iu bashkua protestës së qytetarëve të Fushë-Arrëzit kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, e cila parashikon bashkimin e dy bashkive në një njësi të vetme administrative. Ai e cilësoi draftin si një reformë “antiqytetare”, duke paralajmëruar se Bashkia Pukë do ta rrëzojë unanimisht në Këshillin Bashkiak.

Në fjalën e tij, Dodaj tha se bashkimi i Pukës me Fushë-Arrëzin do ta bëjë edhe më të vështirë aksesin e qytetarëve në shërbime, ndërsa akuzoi qeverinë se reforma është vendosur paraprakisht, pa dëgjuar realisht komunitetet. Sipas tij, ndryshimet e propozuara do të përshpejtojnë shpopullimin e zonës dhe do të dëmtojnë zhvillimin e saj afatgjatë.