Ashtu siç është raportuar në media ditët e fundit, përplasja mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit Behgjet Pacolli për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po shkon drejt një beteje të mundshme ligjore ndërkombëtare.
Pas nisjes së procedurave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare, kompania Mabco Constructions ka paralajmëruar se mund t’i drejtohet arbitrazhit për mbrojtjen e të drejtave të saj.
Por përtej një konflikti mes një investitori dhe shtetit shqiptar, çështja po merr një dimension më të gjerë, atë të sigurisë juridike dhe klimës së investimeve në vend, shkruan politiko.al.
Pacolli: Kemi investuar mbi 320 milionë euro
Biznesmeni Behgjet Pacolli, përmes disa reagimeve në rrjetet sociale, ka deklaruar se kompania Mabco ka kërkuar për më shumë se një vit dialog me autoritetet shqiptare për të shmangur një përballje ndërkombëtare.
Sipas tij, kompania është përballur me pengesa të vazhdueshme, përfshirë bllokimin e aksesit në kantier, përjashtimin nga administrimi i projektit dhe vendime që, sipas tij, kanë cenuar të drejtat kontraktore të investitorit.
Pacolli ka deklaruar po ashtu se Mabco ka investuar më shumë se 320 milionë euro në Aeroportin e Vlorës dhe se deri në muajin maj projekti ishte pranë përfundimit të detyrimeve kryesore kontraktore.
Sipas tij, kompania ishte afër fazës së certifikimit të aeroportit, kur u pengua të vijonte punimet.
“Askush nuk mund të mbahet përgjegjës për pasojat e krijuara nga pengesat që nuk varen prej tij”, ka deklaruar Pacolli, duke paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Koha e emocioneve ka kaluar”, Pacolli paralajmëron arbitrazhin
Në reagimin e tij të fundit, biznesmeni shqiptaro-zviceran tha se çështja tashmë nuk lidhet më me emocione apo deklarata publike, por me kontrata, dokumente dhe prova.
“Koha e emocioneve ka kaluar”, u shpreh Pacolli, duke theksuar se të drejtat e kompanisë do të mbrohen përmes mekanizmave ligjorë.
Ai ka bërë të ditur se Mabco ka kërkuar vazhdimisht që t’i lejohej hyrja në kantier për të përfunduar punimet e mbetura, por sipas tij, këto kërkesa nuk janë pranuar.
Sipas Pacollit, situata ka sjellë dëmtime të mundshme të pajisjeve dhe sistemeve të aeroportit, ndërsa projekti është lënë pa mirëmbajtjen e nevojshme teknike.
Testi i klimës së investimeve
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës ishte prezantuar nga qeveria si një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në jug të Shqipërisë.
Por mosmarrëveshja me kompaninë koncesionare ka vënë në pikëpyetje fatin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit.
Sipas medias ndërkombëtare IntelliNews, rasti i Aeroportit të Vlorës mund të kthehet në një test për mënyrën se si Shqipëria garanton mbrojtjen e investimeve private dhe marrëdhëniet me investitorët ndërkombëtarë.
Nëse çështja përfundon në arbitrazh, Shqipëria mund të përballet jo vetëm me një faturë financiare, por edhe me një sfidë përballë investitorëve të tjerë.
Kështu, nëse e gjithë çështja përfundon në arbitrazh, pas saj vjen edhe dilema se sa të parashikueshme janë marrëdhëniet kontraktore dhe sa të mbrojtur ndihen investitorët kur lindin mosmarrëveshje me institucionet shtetërore.
Ndërsa Mabco ka paralajmëruar arbitrazhin ndërkombëtar, qeveria shqiptare nuk ka dhënë ende një reagim të plotë ndaj pretendimeve të Pacollit.
Në këtë pikë, fati i Aeroportit të Vlorës mbetet i lidhur me një proces që mund të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e një investimi prej qindra milionë eurosh, por edhe mënyrën se si Shqipëria do të perceptohet nga investitorët e huaj./ Politiko.al







