Nga Lutfi Dervishi
Dje u hapën 7.5 kilometrat e parë të aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Lajm i shkëlqyer, por edhe një rast i mirë për të parë kalendarin e punimeve dhe zotimet që u dhanë publikisht.
Punimet nisën, katër vite më parë, në dhjetor 2022 dhe aksi u nda në tetë faza.
Faza e parë u kontraktua më 5 dhjetor 2022. Afati i punimeve ishte 18 muaj. Sipas kontratës, duhej të përfundonte në qershor 2024.
Faza e dytë u kontraktua në qershor 2023, me afat 24 muaj. Duhej të përfundonte në qershor 2025.
Fazat e tretë dhe të katërt u kontraktuan në dhjetor 2023, përsëri me afat 24 muaj. Duhej të përfundonin në dhjetor 2025.
Katër fazat e fundit, V, VI, VII dhe VIII, u kontraktuan në korrik 2024. Të katërta me afat 24 muaj.
Duhej të përfundonin para një jave.
Jemi në gusht 2026. Afati fillestar i të tetë kontratave ka kaluar.
Në letër, pra, Korridori VIII në aksin Elbasan-Qafë Thanë duhej të ishte sot i kryer.
Portalet dhe rrjetet sociale janë mbushur me “lajmin” e prodhuar nga ministria Infrastrukturës se “janë hapur 7.5 kilometrat e parë”.
Sikur edhe punimet të ecnin me ritmin e postimeve në Facebook, tani jo vetëm do të kishim mbërritur në Qafë Thanë, por do të ishim në Detin e Zi.







