Ballina Politika “Kostoja për Smart City u rrit nga 60 në 118.5 mln euro”/...

“Kostoja për Smart City u rrit nga 60 në 118.5 mln euro”/ Denoncimi i Klevis Balliut: SHBA ka ngritur alarmin për kompaninë kontraktuese Presight AI, dyshime për lidhje me Kinën

42
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka denoncuar projektin “Smart City Albania”, duke ngritur pikëpyetje mbi rritjen e kostos, mungesën e konkurrencës në përzgjedhjen e kompanisë dhe rreziqet e mundshme për sigurinë e të dhënave të qytetarëve.

Sipas Balliut, projekti i prezantuar në prill 2024 me një kosto prej rreth 60 milionë dollarësh, brenda më pak se një viti është shndërruar në një kontratë me vlerë 118.5 milionë dollarë. Deputeti demokrat pretendon se kjo rritje e kostos nuk është shoqëruar me një shpjegim teknik apo financiar bindës nga qeveria, ndërsa ngre pikëpyetje edhe për mënyrën e lidhjes së kontratës.

Sipas tij, për kompaninë kontraktuese Presight AI, pjesë e grupit G42, SHBA ka ngritur dyshime për lidhje me shërbimet inteligjente kineze.

“Kompania kontraktuese, Presight AI, pjesë e grupit G42, i cili ka qenë objekt i shqetësimeve të përsëritura nga institucione të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lidhje të dokumentuara me entitete të lidhura me aparatin ushtarak dhe të inteligjencës të Republikës Popullore të Kinës. Dy komisione të Kongresit Amerikan kanë kërkuar zyrtarisht vlerësime dhe hetime mbi këto lidhje, duke i konsideruar ato një çështje me rëndësi strategjike për sigurinë”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me faktin se kontrata është lidhur pa një procedurë të hapur konkurruese.

Deklarata

Qeveria e Edi Ramës po i ngarkon shpinës së shqiptarëve një tjetër barrë, prej 118.5 milionë dollarësh, për ‘Smart City Albania’, një projekt që ngre pikëpyetje serioze për transparencën, administrimin e fondeve publike dhe sigurinë kombëtare.

Në prill të vitit 2024, projekti u prezantua me një kosto prej rreth 60 milionë dollarësh. Brenda më pak se një viti, pa asnjë shpjegim teknik apo financiar bindës dhe pa asnjë garë, kostoja u rrit në 118.5 milionë dollarë. Shqiptarëve u kërkohet të paguajnë dyfishin e faturës, ndërsa qeveria nuk ka dhënë asnjë arsye të besueshme se përse ndodhi kjo rritje drastike e kostos.

Edhe më shqetësues është fakti se kjo kontratë është lidhur pa procedurë të hapur konkurruese, duke anashkaluar standardet e transparencës dhe konkurrencës që kërkon legjislacioni shqiptar dhe angazhimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian. Kur qindra miliona dollarë të taksapaguesve shpërndahen pa garë dhe pa llogaridhënie, dyshimet për abuzim me fondet publike bëhen të pashmangshme.

Shqetësimi nuk është vetëm financiar. Projekti parashikon instalimin e mbi 5 mijë kamerave inteligjente dhe sistemeve të avancuara të mbikëqyrjes në qytetet kryesore të vendit, duke përfshirë edhe shkollat. Kjo do të thotë se miliona të dhëna të qytetarëve shqiptarë do të përpunohen nga një sistem që përbën pjesë të infrastrukturës kritike të shtetit.

Kompania kontraktuese, Presight AI, pjesë e grupit G42, i cili ka qenë objekt i shqetësimeve të përsëritura nga institucione të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lidhje të dokumentuara me entitete të lidhura me aparatin ushtarak dhe të inteligjencës të Republikës Popullore të Kinës. Dy komisione të Kongresit Amerikan kanë kërkuar zyrtarisht vlerësime dhe hetime mbi këto lidhje, duke i konsideruar ato një çështje me rëndësi strategjike për sigurinë.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ka detyrime të qarta për mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike dhe të të dhënave të qytetarëve. Përballë këtyre shqetësimeve, qeveria nuk ka bërë publik asnjë vlerësim të pavarur mbi rreziqet për sigurinë kombëtare, as nuk ka sqaruar se çfarë garancish ekzistojnë për mbrojtjen e të dhënave që do të mblidhen nga ky sistem.

Partia Demokratike në emër të qytetarëve shqiptarë kërkon të dijë se përse një projekt prej 60 milionë dollarësh u shndërrua në një barrë prej 118.5 milionë dollarësh, përse u anashkalua konkurrenca dhe çfarë garancish ka shteti shqiptar që të dhënat e qytetarëve dhe siguria kombëtare nuk do të vihen në rrezik?

Paratë publike, siguria kombëtare dhe privatësia e qytetarëve nuk mund të trajtohen si çështje sekrete të qeverisë. Për këto çështje duhet transparencë e plotë, llogaridhënie institucionale dhe përgjegjësi politike.

Këto janë, ndër të tjera, kërkesa që përsëriten çdo natë prej 69 ditësh edhe nga protesta qytetare para zyrës së Kryeministrit.

Partia demokratike qëndron me qytetarët dhe kërkesat e tyre dhe identifikon një dhe vetëm një përgjegjës të vetëm.

Rama, jepe dorëheqjen!