Ballina Aktualitet “Një rregull i respektuar, një jetë e shpëtuar”/ Mjetet inteligjente kapin shpejtësi...

“Një rregull i respektuar, një jetë e shpëtuar”/ Mjetet inteligjente kapin shpejtësi deri në 230 km/h, Hita inspekton masat në terren

61
0

Nisur nga shkeljet e shumta të evidentuara nga mjetet inteligjente, shkelje që përbëjnë rrezik potencial për sigurinë e jetës së përdoruesve të rrugës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit inspektoi në terren masat që po aplikon Policia Rrugore për parandalimin e aksidenteve.

Gjatë inspektimit, Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, informoi Drejtorin e Përgjithshëm për dinamikën e punës në terren të Policisë Rrugore, duke përdorur për monitorim mjetet inteligjente.

Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci: Jemi dislokuar në aksin rrugor, në rrugën interurbane kryesore “Rrogozhinë-Durrës”. Është një mjet inteligjent që e mat shpejtësinë në mënyrë automatike. Kemi edhe të tjera në të gjithë territorin e vendit, të ngjashme, që janë të dislokuara në akset kryesore të vendit, në Rrugën e Kombit, por edhe në akset e tjera kryesore rrugore, që evidentojnë çdo mjet që tejkalon normat e shpejtësisë.

Është e nevojshme që, në vazhdimësi, ne të operojmë me këto mjete inteligjente në dinamikën e përditshme të punës.

Drejtori i Përgjithshëm, Skender Hita, kërkoi intensifikim të masave dhe bëri një apel për përdoruesit e rrugës: “Siguria rrugore ngelet përparësi e Policisë së Shtetit dhe, siç e shikoni, ndodhemi me mjetet inteligjente të vendosura në rrugë, me qëllim që të bëjmë të mundur evidentimin e të gjitha shkeljeve dhe problematikave që hasim në përditshmërinë tonë.

Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h.

Ndërkohë, gjatë një viti, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë 1.075 drejtues automjetesh, të cilëve iu është hequr leja e drejtimit, pasi iu kanë mbaruar pikët e lejes së drejtimit. Njëkohësisht, kemi edhe 1.060 raste të proceduara për mospasjen e lejeve të drejtimit. Këto janë me të vërtetë shifra alarmante dhe na bëjnë të kthejmë vëmendjen dhe fokusin kryesor tek siguria rrugore.