Profesori i njohur amerikan, Steve Hanke, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat masive që po zhvillohen në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Hanke, i cili mban titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” në Shqipëri, ka mbështetur hapur reagimin qytetar dhe ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta lidhur me projektet e investimeve luksoze në vend.
“Për të 69-tën ditë, mijëra shqiptarë u mblodhën në Tiranë. Protestuesit akuzuan kryeministrin Rama dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, për KORRUPSION. Si Kavalier i Urdhrit të Flamurit të Shqipërisë, është koha që Shqipëria ta braktisë projektin e luksit të Kushnerit dhe që kryeministri Rama të marrë derën e daljes,” shkruan Hanke.
Përmes këtij deklarimi, ekonomisti i njohur ndërkombëtarisht thekson se reagimi i qytetarëve në shesh është një sinjal i qartë se projekti turistik luksoz duhet të anulohet menjëherë, ndërsa kërkon dorëheqjen e kreut të ekzekutivit shqiptar.







