Ballina Sport Plan terrorist për të sulmuar me bomba në një ndeshje të Botërorit...

Plan terrorist për të sulmuar me bomba në një ndeshje të Botërorit 2026 dhe për të vrarë Lionel Messin, në shënjestër edhe Ronaldo

50
0

Sipas një raporti policor, terroristët kishin planifikuar të sulmonin Lionel Messin duke hyrë me forcë në një ndeshje të Kupës së Botës 2026 (u zhvillua nga 11 qershori deri më 19 korrik) të armatosur me armë dhe bomba.

Gjatë turneut, i cili u zhvillua në Amerikën e Veriut këtë verë (SHBA, Meksikë dhe Kanada) u regjistruan një sërë kërcënimesh, përfshirë edhe një person që u arrestua teksa po përpiqej të hynte në ashensor me Cristiano Ronaldon.

Raportet e Qendrës Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Policor (IPCC) dhe FBI-së tregojnë gjithashtu se arbitri i ndeshjes Argjentinë – Egjipt, François Letexier, ishte shënjestruar me më shumë se 6,000 kërcënime në whatsApp-in e tij personal. Për më tepër, familjes së tij në Francë iu ofrua mbrojtje policore. Raportet janë bërë publike nga gazeta spanjolle Informacion.es.

Sipas dokumenteve, përpara përballjes Argjentinë – Egjipt më 7 korrik, një person shkroi në X: “Do të hyj në stadiumin e Atlantës dhe do ta hedh në erë Messin me katër bomba të lidhura në trupin tim.”

Kërcënimi më konkret ndaj Messit ndodhi kur një person telefonoi aeroportin e Dallasit dhe deklaroi se ai dhe dy persona të tjerë po shkonin drejt stadiumit të qytetit me “bomba të prodhuara vetë dhe një pushkë AR-15”.

Në mesazhin e tij, ai tha se synonin të sulmonin “oficerët e policisë dhe lojtarët e të dyja skuadrave”, por personi i dyshuar për terrorizëm bëri “një përmendje të veçantë të Lionel Messit”.

Pas një tjetër telefonate kërcënuese gjatë ndeshjes, ku një person njoftoi policinë se kishte lënë “tre bomba” në koshat e mbeturinave brenda stadiumit, në stadiumin e Atlantës u kryen kontrolle nga disa specialistë të eksplozivëve, së bashku me ekipet e qenve të trajnuar posaçërisht për zbulimin e bombave.

Sipas dosjes, Messi ishte lojtari që mori më shumë kërcënime gjatë kompeticionit, ndërsa Ronaldo ishte futbollisti që u ngacmua më shumë. Më 14 qershor, një punonjës i FIFA-s raportoi praninë e “një personi të dyshimtë”, i cili po kërkonte “detaje” rreth akomodimit të Ronaldos në hotelin ku qëndronte.

Policia e Houstonit e identifikoi dhe e arrestoi atë person dy ditë më vonë, ndërsa ai ndodhej në hotelin ku Ronaldo po qëndronte me kombëtaren e tij.

Një tjetër person u arrestua në Toronto për një incident shumë të ngjashëm, kur Ronaldo ndodhej atje. Në këtë rast, personi tentoi të hynte në ashensor bashkë me yllin portugez dhe u arrestua. Ai tha se thjesht donte të bënte një selfie me CR7.

Incidente të tjera që përfshinë Ronaldon ndodhën në Miami, ku një person u përpoq t’i afrohej, si dhe gjatë ndeshjes Portugali – Kroaci, kur një person i veshur me fanellën e Ronaldos hyri në fushën e lojës.

Një tjetër prej lojtarëve që u bë objekt kërcënimesh ishte Kylian Mbappé, i cili pati një debat të vazhdueshëm me portierin e Paraguait gjatë përballjes me Francën.

Raporti policor thotë se lojtari i Real Madridit u ofendua në internet me komente “ksenofobe”, ndërsa një kukull me imazhin e Mbappé “u dogj dhe pamjet u publikuan” në rrjetet sociale në Paraguai më 5 dhe 6 korrik.