Legjenda e Milanit, Roberto Donadoni, zbulon se si do të sillej me Rafael Leaon në dhomën e zhveshjes: “Herë pas here do ta kapja për gërshetat/flokët”.
Sulmuesi anësor po kërkon të largohet nga klubi këtë verë, duke këmbëngulur se është gati të nisë një kapitull të ri jashtë Milanit, ndërsa nga ana tjetër tifozët janë të zhgënjyer me paraqitjet e tij jo të qëndrueshme.
Pikërisht për këtë arsye, ofertat e mëdha të pritshme nuk kanë mbërritur në numër të madh këtë verë.
Vetëm klubet turke si Galatasaray, Fenerbahce dhe Besiktas kanë bërë kontakte konkrete, por asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të paguajë çmimin e kërkuar prej 50 milionë eurosh plus bonuse.
MilanNews iu drejtua legjendës së klubit, Roberto Donadonit, për ta pyetur se si do të sillej ai me një shok skuadre si Rafael Leao, dhe përgjigjja e tij nuk ishte aspak pozitive.
“Duhet të jesh vërtet brenda një situate për ta kuptuar atë, por nga ajo që shohim nga jashtë, për Leao flitet shpesh për atë që nuk bën, më shumë sesa për atë që bën”, u përgjigj Donadoni.
“Ai është një lojtar që padyshim ka talent dhe cilësi mbi mesataren, por qëndrueshmëria është një komponent themelor dhe ai vërtet ka mangësi në këtë aspekt.
“Shpresoj që të gjitha këto situata më në fund ta bëjnë të vetëdijshëm për këtë dhe që ai të mund të bëhet kampioni që herë pas here e shohim kur bën ato gjëra të jashtëzakonshme. Po të isha shok skuadre me Leaon, herë pas here do ta kapja për gërshetat dhe do t’ia bëja të qartë se ka ardhur koha të përpiqet të bëjë edhe diçka ndryshe”, tha ai.
Trajneri i ri, Ruben Amorim, duket ndoshta më i përshtatshëm për Leaon sesa paraardhësi Max Allegri, por a i përshtatet formacioni 3-4-2-1 karakteristikave të portugezit?
“Unë kam qenë lojtar i Milanit. Kishte lojtarë që ishin veçanërisht të mirë në role të caktuara, ndërsa unë priresha të përshtatesha aty ku kishte nevojë, në të djathtë, në të majtë apo në qendër”, u përgjigj Donadoni.
“Nëse ke dikë më të mirë se ti në atë rol, e ke të vështirë të marrësh një mundësi.
Prandaj duhet të punosh fort dhe të përpiqesh të bëhesh sa më i gjithanshëm që të jetë e mundur, për të ndihmuar veten dhe ekipin.
Nëse jemi këtu duke diskutuar nëse Milani duhet të ndryshojë sistemin për t’iu përshtatur më mirë Leaos, atëherë tashmë kemi humbur”, shtoi ai.







