Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e Lampedusës, ku një 29-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga helikat e një gomone turistike teksa po zhytej në det.
Viktima është identifikuar si Cristiano Giamporcaro, regjisor filmash dhe djali i Maria Castiglione, ish-këshilltare e qytetit të Caltanissetta.
Sipas informacioneve paraprake, 29-vjeçari ndodhej në det pranë Punta Sottile, së bashku me një grua. Të dy dyshohet se kishin vendosur të zhyteshin, por gruaja u kthye në breg menjëherë pas hyrjes në ujë.
Giamporcaro, ndërkohë, qëndroi në det dhe sinjalizoi praninë e tij duke tundur një shami. Pak më vonë, ai u godit nga helikat e një gomoneje që transportonte dy turistë.
Rrethanat e sakta të aksidentit janë ende duke u hetuar. Sipas të dhënave të para, 29-vjeçari u godit nga helikat e mjetit lundrues, duke marrë plagë shumë të rënda.
Trupi i tij u nxor nga deti nga një njësi e Rojës Bregdetare, me ndihmën e një anijeje private të specializuar në ndërhyrje të tilla.
Raportimet paraprake sugjerojnë se i riu mund të ketë humbur jetën për shkak të humbjes së madhe të gjakut. Një prej krahëve të tij dyshohet se ishte pothuajse i prerë nga helikat. Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas autopsisë.







