Ballina Politika “Zjarrfikësit dhe punonjësit e policisë, dërgohen për të përballuar flakët pa pajisje”/Reagon...

“Zjarrfikësit dhe punonjësit e policisë, dërgohen për të përballuar flakët pa pajisje”/Reagon Balliu: Kjo qeveri ka…

40
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka ngritur shqetësimin për mungesën e mjeteve të mbrojtjes për zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë së Shtetit që angazhohen në operacionet për shuarjen e zjarreve.

Në një intervistë televizive, Balliu tha se situata tregon, sipas tij, një neglizhencë institucionale të përsëritur dhe kërkoi më shumë investime në strukturat e emergjencave dhe të sigurisë.

“Minimalja që ti shikon seriozitetin e shtetit është që punonjësit e tu, të cilët ti i çon në vijë të parë të zjarrit, të jenë të mbrojtur. Unë nuk mendoj që kërkohet shumë”, deklaroi Balliu.

Ai e cilësoi si shqetësuese faktin që zjarrfikësit dhe punonjësit e policisë, sipas tij, dërgohen për të përballuar flakët pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse.

Balliu kritikoi gjithashtu prioritetet e shpenzimeve publike, duke pretenduar se fonde të konsiderueshme janë përdorur për projekte dhe aktivitete që, sipas tij, nuk lidhen me sigurinë e qytetarëve.

“Në vend që investimet të shkojnë për zjarrfikësit apo qoftë edhe efektivët e policisë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij aksioni, ata janë pa mjete mbrojtëse”, u shpreh deputeti demokrat.

Duke iu referuar situatës së zjarreve, Balliu tha se nuk mund të parashikohet çdo rast i zjarrvënies së qëllimshme, por shtoi se shteti duhet të garantojë mbrojtjen e punonjësve që angazhohen në vijën e parë.

“Tani që ka neglizhencë institucionale ka, sepse ky është rast i përsëritur. Pra nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me këtë”, tha ai.

Deputeti i PD-së kritikoi edhe nivelin e financimit të institucioneve të sigurisë dhe emergjencave, duke pretenduar se buxhetet e tyre nuk janë në nivelin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave.

Në vijim të intervistës, Balliu ngriti akuza edhe për mënyrën e funksionimit të institucioneve të sigurisë, duke përmendur, ndër të tjera, Policinë e Shtetit, strukturat e emergjencave dhe shërbimet informative.

Ai tha se një tjetër problem është, sipas tij, “aleanca e pushtetit qendror me krimin e organizuar”, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë investimesh në sigurinë kombëtare.

Balliu përmendi edhe fondin e emergjencave, duke kërkuar që fondet publike të përdoren për përballimin e pasojave të zjarreve dhe përmbytjeve, si dhe për mbështetjen e qytetarëve të prekur.

Në fund, deputeti demokrat e lidhi problematikën e sigurisë edhe me çështje të tjera që ai i ka ngritur më herët në publik, duke përmendur AKSHI-n, projektet e “Smart City” dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Deklaratat e Balliut vijnë në një kohë kur zjarret kanë rikthyer në vëmendje kapacitetet e strukturave shqiptare të emergjencave, pajisjet e tyre dhe masat e sigurisë për punonjësit që përballen drejtpërdrejt me flakët.