Ballina Aktualitet “Këtu pushteti shihet si ‘kap çfarë të kapësh’”/ I riu nga protesta:...

“Këtu pushteti shihet si ‘kap çfarë të kapësh’”/ I riu nga protesta: U mbush kupa

61
0

Një i ri që mori fjalën gjatë protestës para godinës së Kryeministrisë ka lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike, duke vënë në dukje hendekun e madh mes luksit të pushtetarëve dhe vuajtjeve të përditshme të qytetarëve shqiptarë.

I riu theksoi se indiferenca e politikanëve vjen nga komoditeti i të qenit pafundësisht në pushtet, ndërsa propozoi vendosjen e kufizimit të mandateve sipas modeleve demokratike:

“Politikanët tanë bëjnë blogerin, postojnë foto nga plazhet, pinë verë të shtrenjtë dhe ka qindra mijëra shqiptarë që nuk dinë si do shtyjnë muajin, vuajnë në shëndetësi, drejtësi, arsim. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh kur politikanët bien rehat dhe thonë ‘nuk ngrihet ky popull’. Disa vende u kanë vendosur limit politikanëve, jo më shumë se dy mandate, që të mos centralizohet pushteti në duart e një njeriu dhe të tallen si këtu.”

Më tej, ai solli në vëmendje se si funksionon modeli i qeverisjes ku politika përdoret për përfitime personale dhe jo për t’i shërbyer publikut:

“Nëse dikush punon me përkushtim, 8 vite mandat i del shkuma, saqë kur mbarojnë ato thotë ‘e bëra punën dhe tani hap krahun’. Por këtu nuk shihet si punë, por ‘kap çfarë të kapësh’ dhe si pasojë e kësaj shpërdorohen taksat. Tani është mbushur kupa, është derdhur fare!”

Në përmbyllje të fjalës së tij para sheshit, i riu përcolli një mesazh optimizmi për vijimësinë e qëndresës qytetare:

“Të gjithë këtu jemi nga ata që për 3 dekada jemi ndjerë të pafuqishëm, kemi humbur shpresën. Tani jemi këtu, kemi gjetur edhe shpresën, edhe fuqinë, sepse ne që vijmë këtu jemi shumë më tepër: jemi edhe fuqia, edhe shpresa e këtij vendi,” përfundoi ai.