Më shumë se 2500 vjet pas rënies së Perandorisë Asiriane, zbulimet arkeologjike vazhdojnë të nxjerrin në dritë të dhëna të reja për mbretërit e saj të fuqishëm dhe madhështinë e kryeqytetit. Në korrik të vitit 2026, në Irak u zbulua një gur me një mbishkrim të rrallë dhe të ruajtur mirë, ku përshkruhen arritjet e mbretit të fuqishëm asirian Ashurbanipal. Guri u gjet mes rrënojave nën qytetin e sotëm irakian të Mosulit, i cili është ndërtuar mbi ish-kryeqytetin neo-asirian, Nineveh. Zbulimi erdhi pas gjetjes së emrave të tre mbretërve asirianë të panjohur më parë, duke u dhënë historianëve një pamje edhe më të qartë mbi fuqinë dhe zhvillimin e kësaj perandorie.
Ja cilat ishin arsyet që i bënë asirianët kaq dominues në Mesopotaminë e lashtë.
1. Ata kishin një ushtri të fuqishme.
Ushtria asiriane e shndërroi Asirinë në superfuqinë e parë ushtarake në botë. Fuqia e saj arriti kulmin gjatë periudhës neo-asiriane të perandorisë, nga viti 911 deri në vitin 609 p.e.s., kryesisht falë reformave të mbretit Tiglath-Pileser III, i cili rreth vitit 745 p.e.s. krijoi ushtrinë e parë të përhershme profesionale. Kjo u mundësoi asirianëve të zhvillonin fushata ushtarake gjatë gjithë vitit.
Ushtria asiriane zhvilloi gjithashtu një çizme të rëndë ushtarake deri në gju, të përshtatshme për terrene të vështira, dhe ishte e para që pajisi ushtarët me armë hekuri. Kjo u dha atyre një avantazh vendimtar ndaj ushtrive që ende përdornin armë bronzi, të cilat ishin më të kushtueshme. Asirianët i organizuan ushtritë e tyre në këmbësori, kalorësi dhe njësi që përdornin armë me predha, si harkëtarët dhe hobetarët. Ata u bënë mjeshtër të luftës së rrethimit kundër qyteteve armike të fortifikuara. Ushtria asiriane ishte gjithashtu e specializuar në përhapjen e terrorit sistematik, dëbimet masive dhe forma të tjera të luftës psikologjike, taktika që më vonë ndikuan edhe te fuqi të tjera ushtarake, përfshirë romakët.
2. Ata përfituan nga risitë dhe shpikjet.
Asirianët morën dhe zhvilluan më tej arritjet e mëparshme të qytetërimeve të Mesopotamisë, duke nisur me sumerët rreth vitit 5000 p.e.s. Në kohën e Perandorisë Neo-Asiriane, e cila u shfaq në shekullin X p.e.s., asirianët kishin përvetësuar shumë nga risitë kryesore të paraardhësve të tyre, përfshirë shkrimin, matematikën, inxhinierinë dhe kode të ndërlikuara ligjore.
Biblioteka e Ashurbanipalit, të cilën arkeologët e zbuluan në shekullin XIX në Nineveh, pranë Mosulit të sotëm, përmbante mijëra tekste që ishin mbledhur, përkthyer dhe kopjuar në mënyrë sistematike nga zona të ndryshme të Mesopotamisë. Mes tyre ishte edhe “Epi i Gilgameshit”, një poemë epike që daton rreth vitit 2100 p.e.s. dhe tregon historinë e një mbreti të hershëm sumer me këtë emër. Këto tekste ishin shkruar me shkrim kuneiform mbi pllaka balte dhe mund të lexohen ende sot.
“Ne kemi fjalë për fjalë dhjetëra mijëra tekste nga Asiria”, thotë asiriologu Eckart Frahm i Universitetit Yale. “Për fatin tonë të mirë, ata shkruanin mbi baltë dhe balta, pasi thahet në diell, është pothuajse e pathyeshme.”
3. Ata besonin se kishin edhe Zotin në anën e tyre.
Ashtu si qytetërimet e tjera të Mesopotamisë, asirianët kishin një panteon perëndish, në krye të të cilit qëndronte hyjnia e tyre mbrojtëse, Ashuri. Zotat e popujve të pushtuar, si ata të Babilonisë ose Urit, mund të përfshiheshin në panteonin asirian, por në një rang më të ulët se Ashuri dhe hyjnitë e tjera kryesore. Mbreti i Asirisë e paraqiste veten si kujdestar ose mëkëmbës i perëndisë kryesore dhe kjo bashkësi fetare, e imponuar nga shteti, ndihmoi në bashkimin e Perandorisë Asiriane.
Asiria paraqitet si një e keqe në disa pjesë të Biblës, ndërsa Ashuri shpesh përshkruhet si i pafuqishëm përballë perëndisë izraelite Jahveh. Një nga episodet më të njohura ndodhi kur neo-asirianët, nën udhëheqjen e mbretit Sennacherib, rrethuan Jerusalemin në vitin 701 p.e.s. Kjo ngjarje u përjetësua nga Lord Bajroni në poemën e tij të vitit 1815, “Shkatërrimi i Sennacheribit”:
Asiriani zbriti si ujku mbi kope,
Dhe turmat e tij shkëlqenin në vjollcë dhe në flori;
Sipas Biblës, një murtajë e dërguar nga Jahvehi goditi ushtrinë asiriane brenda një nate, duke shkaktuar vdekjen e shumë ushtarëve dhe braktisjen e rrethimit. Por historia e murtajës mund të jetë thjesht një rrëfim. Si burimet asiriane, ashtu edhe Bibla thonë se Jerusalemi u pagoi asirianëve një haraç të jashtëzakonshëm në ar dhe argjend, thotë Frahm. Kjo mund të shpjegojë pse asirianët nuk e plaçkitën qytetin.
4. Ishte koha e tyre.
Asirianët u shfaqën për herë të parë rreth vitit 2900 p.e.s., si tregtarë nga qyteti verior i Ashurit, i cili mori emrin e perëndisë së tyre kryesore. Rreth vitit 1800 p.e.s., ata u shndërruan në një fuqi rajonale nën udhëheqjen e pushtuesit amorit Shamshi-AdadI.
Ndërsa mbretëria e tyre zgjerohej, kryeqyteti asirian u zhvendos disa herë, nga Ashuri në Kalhu (Nimrud), e më pas në Dur-Sharrukin (Khorsabad). Perandoria arriti kulmin e fuqisë pas vitit 702 p.e.s., kur mbreti Sennacherib vendosi një kryeqytet të ri në Nineveh.
Perandoria Asiriane përfundimisht ra nën drejtimin e sundimtarëve të dobët dhe për një periudhë Babilonia u rikthye sërish si fuqi dominuese. Por neo-babilonasit nuk arritën kurrë fuqinë apo rëndësinë që kishin neo-asirianët.
5. Sundimtarët e tyre krijuan një sistem të qëndrueshëm.
Asirianët mund të kenë qenë ndër qytetërimet më të fuqishme të Mesopotamisë dhe periudha neo-asiriane përfaqësoi një nga kulmet e qytetërimit në Lindjen e Afërt të lashtë. Në kulmin e saj, Perandoria Asiriane ishte më e madhja që kishte parë ndonjëherë kjo zonë, duke u shtrirë nga Irani perëndimor deri në bregdetin e Mesdheut dhe madje edhe në Egjipt. Mënyra se si qeverisnin u bë një model për shumë perandori të lashta që erdhën më pas, përfshirë romakët.
Asiria nuk u kufizua vetëm në pushtimin e Mesopotamisë. Ajo ruajti, sistemoi dhe arkivoi një pjesë të madhe të trashëgimisë intelektuale të rajonit. Sipas asiriologut Philip Jones, kurator në Muzeun Penn, duket se asirianët arritën të kapërcenin edhe dobësinë e zakonshme të shteteve mesopotame, falë një udhëheqjeje të fortë dhe një sistemi më të qëndrueshëm qeverisjeje. “Në njëfarë mënyre, [Asiria] krijoi një sistem provincial më të qëndrueshëm, ku mbretërit e rinj nuk përballeshin automatikisht me rebelime sapo hipnin në fron”, thotë ai.







