Ballina Kosovë ‘Jeni kriminelë’/ Tensione në Kuvendin e Kosovës, Gërvalla përplaset me deputetët e...

‘Jeni kriminelë’/ Tensione në Kuvendin e Kosovës, Gërvalla përplaset me deputetët e PDK-së, Musliu e lag me ujë

45
0

Donika Gërvalla, deputete e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministre në detyrë e Drejtësisë, ka hyrë në sallën e seancave plenare për të marrë pjesë në aktivitetin që Kuvendi i Kosovës organizon çdo vit për bashkatdhetarët nga mërgata.

Por aktiviteti është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes Gërvallës dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliut, Eliza Hoxhës dhe Ganimete Musliut.

Deputetet e PDK-së i kanë kërkuar vazhdimisht Gërvallës që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

“Thirre seancën”, “Boll me performanca, thirre seancën”, i kanë thënë ato.

Gërvalla u është përgjigjur duke i ftuar në takim për të arritur një marrëveshje.

“Ejani në takim, pse s’po vini, pse po tuteni?”, ka thënë Gërvalla.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka akuzuar Gërvallën se ka çuar dosje në Gjykatën Speciale kundër UÇK-së.

“Mos rrej”, ka qenë përgjigjja e Gërvallës.

Në një moment, situata ka agravuar, teksa deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka lagur Gërvallën me ujë.

Përplasja është zhvendosur më pas edhe te deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Ardian Gola, ndaj të cilit deputetët e PDK-së kanë përsëritur të njëjtën kërkesë: “Thirre seancën”.

Tensionet kanë vijuar edhe me Arbërie Nagavcin, e cila në legjislaturën e kaluar ka drejtuar grupin parlamentar të Vetëvendosjes.

Për momentin, aktiviteti i Kuvendit me mërgatën është pezulluar, ndërsa përplasjet mes deputetëve vijojnë në sallën e seancave plenare.