Në ditën e 74-të radhazi të protestës përpara godinës së Kryeministrisë kundër kreut të ekzekutivit Edi Rama, podiumit i është bashkuar edhe një mjek i ri, dikur pjesëmarrës në protestat studentore të vitit 2018. Ai ka denoncuar përpjekjet e qeverisë për të mbajtur me forcë profesionistët e shëndetësisë në vend, pa u ofruar kushte e paga dinjitoze.
Gjatë fjalës së tij, mjeku i ri bëri një paralele mes lëvizjes studentore të vitit 2018 dhe krizës aktuale, duke theksuar se pakënaqësia në shoqëri është thelluar edhe më shumë:
“Jam një nga studentët protestues në vitin 2018, aktualisht mjek i ri në profesion. Gjendja e sotme është pasqyrë e trishtë e situatës sonë në vitin 2018. Edhe atëherë u ngritëm për të njëjtat gjëra pak a shumë, u ngritëm për kushtet në sistemin arsimor. Kërkuam rritjen e buxhetit të qeverisë për arsimin, dhe na vjen keq që sot studentët kërkojnë të njëjtat gjëra. E keqja jonë ishte se shumica u mashtruan në protestë. Sot pakënaqësia është rritur edhe më shumë!”
Më tej, ai u ndal te sfidat me të cilat përballen mjekët e rinj dhe mungesa e një vizioni për zhvillimin e shërbimit spitalor e shkencor në Shqipëri:
“Sot përballemi me sfidën dhe mendimin për t’u larguar edhe ne në profesion. Pse të rinj që kanë studiuar këtu të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit? Çfarë ka bërë ky pushtet 13-vjeçar që të mbajë këtu profesionistët dhe studentët?
Pasqyra e qartë e këtij dështimi ishte përpjekja e ligjit për të mbajtur mjekët e rinj me zor në Shqipëri. Kjo është detyrim për të ndejtur këtu, por asnjë perspektivë, asnjë propozim për rritje pagash që të jenë të barasvlefshme me vështirësitë që kemi. Asnjë perspektivë për zhvillimin shkencor, asnjë perspektivë për shërbimin e duhur edhe për pacientët.”







