Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur zonën industriale të portit të Roterdamit në Holandë, duke lënë të vdekur të paktën një person dhe duke plagosur disa të tjerë. Ngjarja ka vënë në alarm shërbimet e emergjencës, ndërsa autoritetet policore kanë ngritur perimetrin e sigurisë dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të policisë së Roterdamit, shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Moezelweg” rreth orës 11:30 të mëngjesit. Menjëherë pas sinjalizimit, vendngjarja është rrethuar nga forcat e rendit për të mundësuar ndërhyrjen e shërbimeve mjekësore dhe inspektimin e zonës.
Gjithashtu, në të njëjtën zonë, kompania Gunvor Energy, e cila menaxhon rezervuarët për ruajtjen e derivateve të naftës, raportoi një incident të veçantë të ndodhur gjatë punimeve të mirëmbajtjes, ku mbetën të plagosur disa persona.
Mediat vendase dhe agjencia e lajmeve Reuters bëjnë me dije se në zonën e portit të Roterdamit janë shënuar edhe disa ndërprerje të energjisë elektrike. Shërbimet e sigurisë dhe policia po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje direkte mes shkëputjeve të energjisë dhe shpërthimit tragjik.







