Nga Melazim Koçi
Edi Rama sërish paska zbuluar “nacionalistët më të zëshëm në Tiranë dhe Prishtinë”, këtë herë për shkak të deklaratave të presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski (të cilit i drejtohet me “miku im”). Sipas Rames ata gjoja kanë kërkuar “të hiqet dorë nga Ukraina” dhe disa madje paskan “brohoritur për Rusinë”.
Kjo është një nga të pavërtetat më të mëdha që Edi Rama mund të thotë.
Lufta e drejtë dhe heroike e Ukrainës kundër agresionit brutal rus rrallëkund në botë ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetje më të madhe sesa në Shqipëri dhe Kosovë.
Por, kjo luftë nuk është luftë personale e Volodimir Zelenskit, të cilin presidenti Trump, vitin e kaluar e cilësoi “diktator” dhe e dëboi nga Shtëpia e Bardhe. Nuk më kujtohet nëse në atë kohë Edi Rama kishte dalë në mbrojtje te mikut të tij Zelenski, dhe nëse për këtë e kishte cilësuar presidentin Trump “nacionalist”.
Edi Rama duhet të kuptojë se “nacionalistët shqiptarë” nuk kishin si të heshtnin, sepse Zelenski më shumë se Prishtinën, goditi politikën 36 – vjeçare të Perendimit për Kosovën.
Nuk është halli te mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina. Për shkak te gjendjes së luftës në Ukrainë, askush nuk i ka kërkuar Zelenskit që ta bëjë këtë.
Por ajo që Edi Rama nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë, ështe se me deklaratat e Zelenskit në Beograd u goditën parimet bazike të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe GJND-së në raport me Kosovën.
Zelenski në Beograd deklaroi se “pavarësia e Kosovës është shpallur njëanshëm”. Rama dhe miku i tij Zelenski duhet ta dinin se pavarësia e Kosovës erdhi pas një procesi shumë të gjatë diplomatik dhe bisedimeve në Vjenë, ku morën pjesë faktorët kryesorë të skenës ndërkombëtare.
Më tej, Zelenski pohon se, duke refuzuar njohjen e Kosovës, ai është në mbrotje të “të drejtës ndërkombëtare”.
Rama dhe miku i tij duhet ta dinin se në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Është pikërisht miku i Rames, Volodimir Zelenski, ai që mban një qëndrim që bie ndesh me interpretimin që ka dhënë GJND-ja.
Kë ka goditur miku i Rames me këto deklarata?
Përveç Kosovës, hiq më pak se NATO-n, SHBA-të, BE-në dhe GJND-në. Këto janë fjalë për fjalë teza dhe qëndrime që prej vitesh përdorin Rusia, Kina dhe Serbia.
Edi Rama nuk do të duhej të solidarizohej me ata që godasin parimet bazike të botës perendimore dhe që përmes tyre synojnë të delegjitimojnë
pavarësinë e Kosovës, qoftë ky edhe miku i tij Zelenski. Ata që kanë ndjekur politika të tilla antiperendimore nuk kanë kaluar mirë.
Në vend të deklaratave të shpifura për “nacionalistët shqiptarë”, Edi Rama do të bënte mirë të na tregonte pse Kievi e përjashtoi njëanshmërisht Kosovën nga dy samitet e fundit “Ukrainë – Evropë Juglindore”, në Odesa (11. qershor. 2025) dhe në Kiev (15. Korrik 2026).
Në tri samitet e mëparshme në Dubrovnik, Tiranë dhe Athinë, Kosova kishte qenë pjesëmarrëse.
A e ka pyetur Edi Rama mikun e tij Zelenski pse e përjashtoi Kosovën nga këto dy samite?
Dhe a do të kishte qenë më dinjëtoze që t’i thoshte:”Pasi me kërkesën e Vuciqit, përjashtove Kosovën nga takimet në Odesa dhe Kiev, as Shqipëria nuk do të marrë pjesë?
Këtë nuk e ka bëre dhe kjo nuk i bën nder.
Aq më pak të bën nder të trillosh e sajosh “nacionalistë shqiptarë”, të cilët kanë bërë vetëm një “mëkat”: mbrojtën dinjëtetin e Kosovës nga deklaratat skandaloze dhe kalkulimet meskine të mikut tënd Volodimir Zelenski.
Nëse Edi Rama supozon se, duke dalë në mbrojtje të Zelenskit, ka përfituar ndonjë bonus në Perendim, kalkulimin e ka shumë të gabuar.
Pse?
Sepse pozicionet e Zelenskit në raport me Kosovën janë në harmoni të plotë me qëndrimet e Serbisë, Rusisë dhe Kinës. Edi Rama do të duhej të distancohej qartë nga këto qëndrime antikosovë dhe antiperendimore; përndryshe me ose pa vetëdije, rrezikon të bëhet bashkëpjesëmarrës në legjitimimin e tyre.
Pikërisht këtë kanë bërë ata që ai i cilëson “nacionalistë shqiptarë”: janë distancuar nga qëndrimet e Zelenskit që janë identike me ato të Rusisë, Kinës dhe Serbisë.
Tani i mbetet Edi Ramës të na tregojë qartë: në cilën anë është?







