Një shqiptar që jeton në Itali, pjesëmarrës në protestën e 76-të në Tiranë, e cilësoi tubimin si një moment të rëndësishëm ndërgjegjësimi për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
“Protesta është madhështore. Ne si shqiptarë, për herë të parë po ndërgjegjësohemi. Secili prej nesh është dakord, pasi çdo institucion është shkatërruar nga kjo klasë politike. Postet janë mbushur me njerëz pa përgatitje, ku qëllimi është zhvatja”, u shpreh ai.
Sipas tij, përgjegjësia për situatën e krijuar i atribuohet qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Ky grup kriminal që vetëquhet Rilindje ka shkaktuar gjithë këtë krim. Rama thotë se ka kontratë me popullin shqiptar, por s’ka nënshkruar me ne këtë kontratë. Ai nuk ka legjitimitet sa i takon pushtetit që ka”, tha protestuesi.
Ai akuzoi gjithashtu administratën publike se po përdoret për të mbajtur në këmbë pushtetin, ndërsa kritikoi edhe opozitën.
“Rama nuk ka pushtet personal. Është person që mbahet nga punonjësit e administratës publike, që po shesin dinjitetin dhe po shkatërrojnë vendin tonë për një vend pune.
Nëse ne nuk reagojmë, kjo protestë nuk do të ketë përfundimin që duhet. Duhet ta rrëzojmë. Nuk është vetëm Rama, por edhe paterica e tij, Sali Berisha”, deklaroi ai.
Në fund, shqiptari nga Italia bëri thirrje për vijimin e protestave.
“Kanë detyruar qindra shqiptarë të largohen jashtë. Dua dhe shpresoj që kjo protestë të ketë vazhdimësi. Rama duhet të japë dorëheqjen. Duhet të shporret. Ne do të ecim përpara dhe nuk duhet të dorëzohemi”, u shpreh ai.







