Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka folur për median e njohur britanike, ‘UnHerd’, e cila ka publikuar një shkrim të gjatë për situatën e fundit politike në Shqipëri. Më poshtë pjesë nga shkrimi i gazetarit Aris Roussinos
Në zyrën e tij në selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha, 81-vjeçari që drejton opozitën konservatore, doli nga pas një tavoline të mbushur me dokumente për të më shtrënguar dorën. Pas tij, në raftet e tejmbushura me libra, një kapele bejsbolli MAGA dhe një fotografi e kornizuar e Nënë Terezës kërkonin hapësirë mes tyre.
Berisha, lideri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Shqipëri dhe një nga arkitektët e orientimit të vendit drejt Perëndimit, mbetet një figurë qendrore në përcaktimin e rrugëtimit modern të Shqipërisë, po aq sa rivali i tij i betuar, Edi Rama.
Vetëm disa javë më parë, administrata Trump, duke iu referuar arsyeve të sigurisë kombëtare, hoqi sanksionet e vendosura nga administrata Biden që e ndalonin Berishën të hynte në SHBA, për shkak të akuzave për korrupsion gjatë kohës në pushtet, të cilat ai i mohon. Sanksionet britanike, ndërkohë, mbeten në fuqi. Berisha i konsideron ato të padrejta dhe, duke më dorëzuar një dokument të Ministrisë së Jashtme britanike lidhur me çështjen e tij, akuzoi ish-ambasadorin britanik se ishte “korruptuar” nga Edi Rama.
Sipas Berishës, fluksi i parave të ardhura nga aktivitetet kriminale ka deformuar ekonominë shqiptare, duke dëmtuar eksportet e vendit drejt Evropës dhe duke u pastruar përmes projekteve të mëdha të ndërtimit.
“Nëse shikoni këtë vend, çfarë do të gjeni? Do të gjeni një fuqi të jashtëzakonshme në duart e Edi Ramës dhe qeverisë së tij: fuqinë e drogës.”
Sipas tij, kjo fuqi arrin në miliarda euro dhe “kartelet shqiptarë të drogës kontrollojnë gjithçka në këtë vend”.
Pas rikthimit në vijën e parë të politikës, pas mposhtjes së rivalëve të brendshëm për drejtimin e Partisë Demokratike, Berisha i sheh protestat si një mundësi për t’u rikthyer në pushtet ose, të paktën, për të dobësuar kontrollin e Ramës.
Ai pranon se “ndoshta 20%” e sloganeve të protestuesve kërkonin burgosjen e tij, por pretendon se këto kërkesa vinin vetëm nga “grupe ekstremiste të majta”.
Për pjesën tjetër, sipas Berishës, protestuesit janë kundër qeverisë dhe “kauza e tyre është e drejtë. Është edhe kauza jonë”. Ai thotë se opozita e mbështet dhe e respekton protestën, por nuk përpiqet ta marrë drejtimin e saj.
Për rivalin e tij politik, Berisha është edhe më i ashpër:
“Edi Rama e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal, ku mund të bëjë gjithçka.”
Sipas Berishës, Rama sillet “si një sulltan në një sulltanat të shekujve të kaluar, ku ajri, toka dhe uji konsiderohen pronë e sulltanit.”







