Ballina Politika Ramës i vjen kundërpërgjigjja e ashpër: Serbia nuk mund të humbte atë...

Ramës i vjen kundërpërgjigjja e ashpër: Serbia nuk mund të humbte atë që nuk i përkiste kurrë

80
0

Veprimtari shqiptar Ramazan Bekteshi ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas deklaratës së tij se “Serbia humbi Kosovën”, duke e cilësuar atë si një gabim politik dhe historik.

Bekteshi, përmes një reagimi drejtuar Ramës, ka thënë se problemi nuk qëndron vetëm te deklarata e kryeministrit, por edhe te mënyra se si ai është përballur me kritikat që pasuan.

“Deklarata juaj se ‘Serbia humbi Kosovën’ nuk ishte thjesht një gabim politik – ajo zbuloi një keqkuptim themelor të historisë së Kosovës. Serbia nuk mund të humbasë atë që nuk i përkiste kurrë me të drejtë”, ka shkruar Bekteshi.

Ai e ka kritikuar Ramën edhe për përdorimin e etiketimeve ndaj kundërshtarëve të tij, duke theksuar se kritika është pjesë e demokracisë.

Sipas Bekteshit, reagimi i Ramës ndaj kritikëve nuk e ka mbrojtur argumentin e tij, por është shoqëruar me tallje dhe sulme ndaj atyre që e kanë kundërshtuar.

“Ne nuk jemi ‘ushtria e turbo-folkut’ që ju u përpoqët të na etiketonit. Ne jemi bijtë dhe bijat e Dardanisë apo jashtë saj, por që ia përkushtuam jetët tona”, ka deklaruar ai.

Bekteshi ka thënë se shqiptarët që e kanë kundërshtuar Ramën janë njerëz që për dekada kanë mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri dhe ekzistencë, përmes punës, sakrificës, lobimit dhe protestave.

Ai ka shprehur zhgënjim edhe për faktin se, sipas tij, Rama u është përgjigjur kritikëve me etiketa që “tingëllojnë jashtëzakonisht të ngjashme me narrativat që Serbia ka përdorur prej kohësh për të nënvlerësuar shqiptarët e Kosovës dhe luftën e tyre”.

Veprimtari shqiptar ka theksuar se reagimet ndaj deklaratës së Ramës nuk kanë ardhur vetëm nga Kosova, por edhe nga trojet shqiptare dhe diaspora.

“Zemërimi nuk ishte partiak, rajonal apo i orkestruar, por ishte reagimi natyror i njerëzve që e njohin ndryshimin midis së vërtetës historike dhe absurditetit politik”, ka shkruar ai.

Në fund, Bekteshi ka ironizuar edhe mbështetjen që, sipas tij, Rama ka marrë nga serbët pas debatit.

“P.S. Në reagimin tim në X/Twitter kundër Ramës serbët shkruajnë se Rama ka të drejtë dhe se unë e kam gabim! Urime z. Rama për përkrahjen e rezervës së Beogradit”, ka përfunduar Bekteshi.