Ballina Ekonomia Bypass-i i Elbasanit, firmosen kontratat për dy fazat e para/ Investimi 4.72...

Bypass-i i Elbasanit, firmosen kontratat për dy fazat e para/ Investimi 4.72 mld lekë me TVSH, hapet rruga për nisjen e punimeve

99
0

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratat për ndërtimin e dy fazave të para të bypass-it të Elbasanit, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve për një prej segmenteve që do të lidhë autostradën Tiranë-Elbasan me Korridorin VIII. Të dyja kontratat janë lidhur më 28 korrik 2026 dhe kanë një afat zbatimi prej 24 muajsh, me përfundim të parashikuar në korrik 2028.

Për fazën e parë, kontrata është nënshkruar me kompaninë “2 T”, me një vlerë prej rreth 2.13 mld lekësh pa TVSH, apo rreth 2.56 mld lekë me TVSH. Ndërkohë, faza e dytë do të ndërtohet nga kompania “Salillari”. Kontrata ka një vlerë prej 1.8 mld lekësh pa TVSH, apo 2.16 mld lekë, me TVSH. Në total, dy kontratat arrijnë në rreth 3.93 mld lekë pa TVSH, apo 4.72 mld lekë, me TVSH.

Dy fazat përfshijnë ndërtimin e rrugës lidhëse mes aksit Tiranë–Elbasan dhe Korridorit VIII, në një segment rreth 4 km të gjatë që përbën pjesë të bypass-it të Elbasanit. Traseja nis përpara rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik.

Investimi synon të reduktojë ngarkesën e trafikut në hyrje-daljet e autostradës Tiranë-Elbasan, veçanërisht në zonën e Bradasheshit, e cila prej vitesh është një prej pikave më problematike për qarkullimin e automjeteve.

Bypass-i i Elbasanit është pjesë integrale e Korridorit VIII dhe do të krijojë lidhjen ndërmjet dy segmenteve kryesore që janë aktualisht në zhvillim, Elbasan-Lekaj dhe Elbasan-Qafë Thanë. Sipas dokumenteve të projektit, realizimi i tij pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit, të lehtësojë trafikun në qytetin e Elbasanit dhe të përmirësojë sigurinë rrugore.

Investimi i plotë për bypass-in është përfshirë edhe në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027-2029, ku projekti vlerësohet me një kosto totale prej rreth 240 mln euro.