Ballina Aktualitet Situata me zjarret/ Ende 23 vatra aktive, këto janë zonat më problematike,...

Situata me zjarret/ Ende 23 vatra aktive, këto janë zonat më problematike, ndërhyrja bëhet nga toka dhe ajri

109
0

Deri në orën 17:00 në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim, sipas njoftimit të bërë nga Ministria e Mbrojtjes.

Në operacionet e sotme janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë angazhuar 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Gurë-Lurë, Dibër – Mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 ha pyll pishe dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.

Abaze, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

Lufaj, Mirditë – Vijon puna për shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat.

Fushë-Lajë, Pukë – Vatra mbetet aktive në terren të thyer, i cili vështirëson ndërhyrjen; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gjirokastër – Aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj. Strukturat e MZSH janë në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Vlorë – Aktive janë vatrat në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Në Gjormë vatra është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijon puna e MZSH për shuarjen. Nuk ka rrezik për banesat.

Dardhë, Librazhd – Vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon ndjekjen dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.