Ballina Politika ‘Rama e ka reformën territoriale në sirtar’, Baçi: Divjaka dhe Patosi po...

‘Rama e ka reformën territoriale në sirtar’, Baçi: Divjaka dhe Patosi po i nënshtrohen arrogancës së qeverisë

63
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka denoncuar atë që e cilëson si një reformë territoriale të paracaktuar nga Edi Rama, duke akuzuar qeverinë se ka injoruar vullnetin e qytetarëve dhe propozimet e opozitës.

I ftuar në Edicionin e “Pasdites” në SYRI TV,  Baçi u ndal te protestat në Divjakë dhe kundërshtimi i banorëve ndaj planit për bashkimin e kësaj bashkie me Lushnjën.

Lexo edhe:
Blushi: Rama po çmonton industrinë, betonizon Shqipërinë dhe nxit Narkoekonominë
Sipas deputetit demokrat, dëgjesat publike dhe puna e komisionit për reformën territoriale kanë qenë vetëm një formalitet, pasi vendimi, sipas tij, ishte marrë më herët nga kryeministri.

Deputeti i PD-së theksoi se kundërshtimi nuk është i kufizuar vetëm te Divjaka. Ai përmendi edhe Patosin, ku banorët dhe drejtuesit vendorë kanë kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Fierit.

Baçi vuri në dukje edhe faktin se, sipas tij, kundërshtimi për shkrirjen e Patosit është shprehur edhe nga kryetari i bashkisë, i cili i përket Partisë Socialiste.

‘Patjetër që po. Një nga arsyet se pse duhet folur për protestën në Divjakë, është ajo që ne kemi thënë deri tashmë për reformën territoriale që, më lejoni t’ju them në qoftë se e keni vënë re, herën në një dëgjesë që kemi pasur në rang qarku me kryetarët e bashkive të qarkut, jam shprehur se Rama e ka të gatshme reformën territoriale në sirtar dhe dëgjesat dhe komisioni i reformës territoriale ishte si një, si një punë ku xhirohej bosh, se Rama do të bënte atë që kishte në plan dhe në mendjen e vet.

Dhe në fakt kjo doli e vërtetë, se shikojmë që asgjë nuk merret parasysh nga propozimet e Partisë Demokratike jo se jo, që janë propozime për 100 bashki dhe 6 rajone, të studiuara mirë dhe të marra dhe me mendimin e qytetarëve, ku në qoftë se do të aprovohej një gjë e tillë për 100 bashki dhe 6 rajone, ju garantoj se do të kishte një konsensus të përgjithshëm edhe të qytetarëve e nuk do të kishte absolutisht asnjë lloj reagimi e jo më protestë nga ana e tyre.

Ndërkaq në fakt jemi përballë një situate krejt të pazakontë ku kemi një ngritje të të gjitha bashkive që janë shkrirë tashmë me draftin që ka paraqitur Partia Socialiste dhe Edi Rama. Këtu më lejoni të shtoj jo vetëm bashkinë e Divjakës për qarkun e Fierit, por dhe bashkinë e Patosit, të cilët edhe ata kanë reaguar fuqishëm për mosshkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimit me Fierin.

Është një shkrirje dhe një bashkim që do të thoja që nuk shkon fare dhe absolutisht nuk ka si të ndodhë, një distancë shumë e largët. Patosi është një bashki me identitet, Patosi është një bashki me resurse, është një bashki që ka performuar mirë dhe për hir të së vërtetës e ka kundërshtuar edhe vetë kryetari i Bashkisë së Patosit që i përket Partisë Socialiste, shkrirjen e Patosit me bashkinë e Fierit.

Por Divjaka, siç e thatë dhe juve, është një komunitet ku ka rreth 15 ditë që po proteston në mënyrë të përnatshme. Për hir të së vërtetës duhen vlerësuar dhe respektuar ata qytetarë, të majtë dhe të djathtë, kanë dalë pa përjashtim çdo ditë në bulevardin kryesor të Divjakës dhe sheshin e Divjakës ku kundërshtojnë fuqishëm shkrirjen e bashkisë së Divjakës me Lushnjën.

E kundërshtojnë fuqishëm, edhe këshilli bashkiak i cili është mbledhur dhe ka votuar unanimisht kundër shkrirjes së bashkisë Divjakë, i kanë bërë thirrje kryeministrit që të reflektojë dhe të përballet atje me banorët e Divjakës.

Është një nga pikat kryesore, është një nga kriteret kryesore që në vizatimin që i bëhet një harte të një bashkie apo të një qarku, duhet të merret parasysh mendimi i qytetarëve. Janë ata që duhet të pyeten. Dhe në rastin konkret, në qoftë se ky kryeministër, kjo qeveri, ky komision i reformës elektorale, Mazniku si përfaqësues i Partisë Socialiste, do të gjente qoftë dhe një qytetar të vetëm të Divjakës apo të Patosit apo të gjithë bashkive të tjera që janë parashikuar për t’i shkrirë, do të gjente që do të ishte dakord për shkrirjen, atëherë të merrnin një vendim, por përkundrazi janë të gjithë kundër dhe nuk arrij ta kuptoj arrogancën e kësaj qeverie edhe në këtë aspekt, siç e përdor arrogancën në të gjitha aspektet e tjera.’, tha deputeti i PD-së, Luan Baçi.