Ballina Ekonomia Strategjia, investitorët e huaj do të nxiten të blejnë nga bizneset shqiptare

Strategjia, investitorët e huaj do të nxiten të blejnë nga bizneset shqiptare

53
0

Qeveria parashikon të ndryshojë mënyrën se si jepen lehtësitë për investitorët, duke i lidhur stimujt me përfitimet konkrete që projekti sjell në ekonomi, nga punësimi i kualifikuar dhe transferimi i teknologjisë te eksportet dhe bashkëpunimi me furnizuesit vendas.

Ndryshimet e miratuara në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve  2021-2030, synojnë që deri në vitin 2030 të krijohen të paktën 25 milionë euro kontrata të reja furnizimi mes ndërmarrjeve të vogla e të mesme shqiptare dhe investitorëve të huaj.

Ndryshimi pritet të formalizohet përmes një ligji të ri “Për investimet”. Sipas strategjisë, sistemi i nxitjes do të bazohet në kritere objektive dhe do të favorizojë investimet që sjellin transferim teknologjie, krijojnë vende pune të kualifikuara, rrisin kapacitetet eksportuese dhe bashkëpunojnë me furnizuesit shqiptarë. Paketat e stimujve do të duhet gjithashtu të respektojnë rregullat e ndihmës shtetërore.

Projektligji dhe sistemi i pikëzimit për sektorët prioritarë parashikohet të rishikohen gjatë vitit 2026, ndërsa miratimi i ligjit synohet në 2027. Deri në vitin 2030 objektivi është që kuadri i ri të mbështesë të paktën 50 milionë euro investime të reja kumulative, ndërsa të paktën 40% e projekteve të investimit që përfitojnë lehtësi synohet të plotësojnë kriteret prioritare të zhvillimit.

Dokumenti synon të lidhë më fort investimet e huaja me ekonominë vendase. Strategjia parashikon krijimin e klasterave në sektorë si agropërpunimi, tekstile-veshje-lëkurë, energjia e pastër, metalet bazë dhe lëndët e para kritike, druri dhe turizmi. Synimi është që ndërmarrjet shqiptare të kalojnë nga roli i prodhuesve me kosto të ulët në atë të furnizuesve të aftë për të hyrë në zinxhirët e kompanive të mëdha dhe investitorëve të huaj.

Sipas dokumentit, për këtë qëllim do të krijohet një platformë lidhëse IHD–NVM, që do të përfshijë regjistër publik të furnizuesve të gatshëm, auditime paraprake të bizneseve, ritestim pas 30 ditësh dhe ndërmjetësim për porosi prove. Parashikohet gjithashtu një fond për krijimin dhe zhvillimin e klasterave gjatë periudhës 2027–2030.

Objektivi është që kontratat e reja të furnizimit NVM–IHD të arrijnë në të paktën 5 milionë euro kumulative deri në vitin 2028 dhe 25 milionë euro deri në 2030. Në të njëjtën kohë, numri i NVM-ve të certifikuara me status “gatishmëri furnizimi” synohet të rritet nga zero në vitin 2025 në 25 deri në 2028 dhe 90 deri në 2030, thuhet në dokument./ekofin.al