Kryetari i Partisë Demokrate, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe organit të posaçëm të akuzës, SPAK, duke deklaruar se situata aktuale e kriminalitetit në vend dëshmon një bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes shtetit dhe krimit të organizuar.
Gjatë një konference për mediat, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama, të cilin e cilësoi si ‘kreun e Meduzës’ dhe përgjegjësin kryesor për gjendjen e sigurisë në vend.
Deklarata e Berishës:
“Edi Rama është kreu i Meduzës. Është padrinoja i mafies shqiptare. A e lexuat se çfarë thoshte? Kur gazetari i nderuar i UnHerd i thoshte na thuaj pak për Arubën, që sot çdo shqiptar e di që në Aruba ishin përfaqësuesit e karteleve shqiptare më të fuqishme të drogës, ishin biznesmenët dhe qeveritarët e dërguar nga Edi Rama, kjo është e njohur, dhe ky paturpësisht i thoshte gazetarit ku janë fotot, ku janë dokumentet.
Ky i thotë se Berisha më foli për Arubën. Sigurisht që, i fola për Arubën dhe do flas për Arubën në të gjithë arenën, sepse Aruba është dëshmia më flagrante e narkoshtetit, i shtrirë në të gjitha nivelet.
Dhe ky i thotë ku janë fotografitë, duhet t’i gjejë fotografitë Sali Berisha. I ke në dosje. Ndaj dhe, unë kam denoncuar para jush në mënyrën më të përsëritur Skapin si bashkëpunëtor me kartelet e drogës. Pse? Sepse mban sekret emrat e qeveritarëve që ishin në Aruba dhe kjo është tradhti e vërtetë e ligjit. Kjo është një mbrojtje e narkoshtetit, një krim i shëmtuar.
Kanë nxjerrë, me të drejtë, emrat e trafikantëve që ishin në Aruba. Kanë nxjerrë emrat e biznesmenëve të dërguar nga Edi Rama në Aruba. Nuk nxjerrin emrat e ministrave qëishin në Aruba sepse kjo do të ishte colpo di grazia, goditja e mëshirës përfundimtare për padrinon dhe narkoshtetin e tij.”







