Ballina Kronika Grabitja e argjendarisë në Paskuqan, arrestohet njëri prej autorëve! Po tentonte të...

Grabitja e argjendarisë në Paskuqan, arrestohet njëri prej autorëve! Po tentonte të ikte nga Qafë Thana

80
0

Eshtë arrestuar teksa po përpiqej të largohej nga Qafë Thana, njëri prej autorëve të dyshuar të grabitjes me armë zjarri të argjendarisë në Paskuqan, ngjarje e ndodhur më 5 gusht. Në pranga ka rënë Argys Kalsi, 35 vjeç, banues në Laç.

“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 05.08.2026, kanë vjedhur një sasi bizhuterish në një argjendari dhe më pas janë larguar me një motomjet’ informoi sot policia.  

Ai u ndalua  në Qafë Thanë teksa po mundohej të largohej nga vendi, informon gazetari i Syrit, Fatjon Gjinaj. Mësohet se policia prej disa ditësh e kishte identifikuar të riun si autor i ngjarjes, por nuk e kishte arrestuar pasi e kishin ndjekur dhe përgjuar në mënyrë që të arrestojnë dhe autorin e dytë, për të cilin po punohet për identifikimin e tij.

Arrestimi u krye nga Policia e Tiranës dhe Komisariati nr. 5

Grabitja ndodhi më 5 gusht 2026. Dy autorët hynë të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov dhe grabitën sende floriri të cilat shkojnë mbi 1.5 milionë lekë. Dyshohet se njëri prej autorëve të ketë shkuar si klient ditë më parë, pasi kishin dijeni të plotë ku ndodheshin bizhuteritë me vlerë të konsiderueshme.

Më pas më 6 gusht, në një pyll pranë fshatit Zgafnur, u gjet kallashnikovi i përdorur, krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete të lyer në ngjyrë gri, 2 maska silikoni dhe një palë doreza. Tre ditë më vonë, u gjet i hedhur në një liqen në fshatin Qinam, motori i përdorur nga autorët gjatë arratisjes.