Avokatja Adriana Kalaja ka dorëzuar sot në SPAK prova të reja në kuadër të kallëzimit penal ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka. Në një deklaratë për mediat, Kalaja pretendoi se dokumentet e reja lidhen me mospërputhje në të dhënat për lëvizjet e Gjokës jashtë vendit, si dhe me dokumentet e kalimit të kufirit.
Ajo u ndal veçanërisht te të dhënat që tregojnë se djali i Gjokës ka lindur në Milano më 16 maj 2004, ndërsa në dokumentet e TIMS gjyqtarja rezulton në Shqipëri në atë periudhë.
Kalaja kërkoi që SPAK të verifikojë edhe akuzat për ndërhyrje në sistemin TIMS dhe për dokumentet e ardhura nga autoritetet greke, duke përmendur në deklaratën e saj emrat e Taulant Ballës, Ulsi Manjës dhe Oltion Bistrit.
Avokatja kritikoi gjithashtu ecurinë e hetimeve, duke thënë se pavarësisht detyrave të lëna nga gjykata, kallëzuesit ende nuk janë marrë në pyetje. Kalaja i kërkoi SPAK-ut të verifikojë provat e dorëzuara dhe të hetojë të gjitha pretendimet e ngritura në kallëzim.
Kalaja:
Në shtetin grek në dy raste, pra në dhjetor 2002 dhe në mars 2003. Ne kemi evidentuar që të njëjtat falsifikime kanë ndodhur edhe në vitin 2004 ku përveçse kjo shtetase, magjistrate fatkeqësisht sot, që duhet të ishte jo vetëm e larguar nga sistemi po edhe përpara drejtësisë, ka falsifikuar dokumentat e kalimit të kufirit në pikën e Rinasit pasi ka qenë me dy ekspulse dhe e dëbuar nga shteti grek. Por në këtë periudhë ne e dimë shumë mirë që ka qenë në fuqi ligji i vendeve Schengen ku për 10 vite kjo shtetase nuk duhet të shkelte në asnjë vend Schengen dhe ne na rezulton që në maj të 2004-ës, sipas çertifikatës familjare, unë jo më kot e kam bërë edhe një printim në A3-sh, në 16 maj të 2004-ës rezulton që djali i Irenës me disa mbiemra, datëlindje dhe pashaporta ka lindur në Milano të Italisë. Pra, problemi i parë që ne kemi ngritur në këtë shtesë kallëzimi penal, por për interes të publikut duhet të theksojmë faktin se këtë pretendim me prova ne e kemi ngritur edhe në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët për turpin e tyre kanë refuzuar ta bëjnë një hetim të tillë, ashtu sikundër Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Ulsi Manja, edhe në fund edhe KLGJ-ja e cila mori një vendim antiligjor dhe të paprecedent në raport me këto vepra penale.
Ndërkohë, problemi që ne kemi ngritur në këtë kallëzim penal dhe kemi sjellë dhe provat, kjo është pjesë e fashikullit, në volumin 2, në faqen 197 evidentohet që Irena Gjoka ka dalë nga Shqipëria në qershor të 2004-ës. Ndërkohë, siç e patë, në çertifikatën familjare, datëlindja e djalit është në 16 maj 2004. Nisur nga fakti që SPAK-u tashmë është kthyer në maternitet, spakistët këtu me Klodian Brahon në krye janë kthyer në mjekë gjinekologë, ne kërkojmë, qoftë edhe nga ana mjekësore të na e tregojnë, kush e ka lindur djalin. Se më 16 maj 2004, sipas letrave që disponon vetë SPAK-u, Irena me disa mbiemra, pashaporta dhe datëlindje, figuronte në Shqipëri. Ndërkohë protokolli mjekësor nuk lejon një shtetase në gjendje të tillë të udhëtojë me avion jashtë shtetit. Problemi tjetër që kemi ngritur është me çfarë dokumentash ka udhëtuar Irena me disa mbiemra, datëlindje dhe pashaporta që ka lindur djalin në Greqi… dhe në Itali më falni.
Dhe e fundit për ta mbyllur këtë situatë sa kaotike por një vepër penale shumë e rëndë, ne kemi informacione që Taulant Balla me cilësinë e ministrit të brendshëm, Ulsi Manja dhe ish-polici Oltion Bistri kanë ndërhyrë në sistemin TIMS dhe ndërkohë po të njëjtat informacione na kanë thënë që edhe amnistimi që Irena me disa mbiemra, datëlindje dhe pashaporta i ka bërë Oltion Bistrit, qoftë edhe duke i hequr sekuestron e pasurive të tij duke ja kaluar Armando Lilës, kanë bërë që Oltion Bistri sipas thashë informacioneve që na kanë ardhur në mënyrë jo zyrtare, të ketë ndikuar edhe në policinë greke me qëllim që dokumentat e kërkuara nga Prokuroria e Përgjithshme o të vonoheshin ose të vinin të manipuluara dhe të falsifikuara. Kjo është detyrë e SPAK-ut në fakt që të hetojë. Ndjehemi shumë të keqardhur që megjithëse vendimi i gjyqtares Marinela Osmani ishte i qartë, ka lënë disa detyra, po mbushen periudha prapë gjashtë mujore, ku ne nuk kemi marrë asnjë informacion se çfarë është bërë me këto hetime. Nga ana tjetër, konstatojmë me keqardhje që edhe kur po bëhet kufiri i gjashtë muajve të hetimeve pas rikthimit të dosjes, ne si kallëzues nuk jemi marrë në pyetje meqënëse kjo ishte dhe detyra thelbësore e lënë nga gjykata e shkallës së parë.
Në këto kushte unë dua t’i bëj një thirrje prokurorit të çështjes, por edhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, që mjaft u sollët si mjekë gjinekologë, që veprimet hetimore t’i bëni në varësi se kush ngeli shtatzënë dhe kush lindi, por nëpërmjet kapaciteteve që kanë, nëpërmjet kompetencave dhe tagrit që kanë, ta hetojnë këtë çështje në përputhje me ligjin dhe kushtetutën.
Sepse në vend të Irenës, me disa mbiemra, pashaporta dhe datëlindje, që këta vijojnë ta amnistojnë me urdhër politik, sepse është një magjistrate që aty ka qenë me urdhër politik për të sulmuar Partinë Demokratike, zotin Berisha, drejtuesit e partive opozitare dhe gjithë opozitën, ne garantojmë që kushdo magjistrat, prokuror apo gjyqtar, që do t’i dalin në krah kësaj vepre penale të konsumuar disa herë nga kjo magjistrate, do të përgjigjet përpara ligjit. Faleminderit.







