24 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë në monitorim.
Sipas bilancit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, situata po menaxhohet përmes ndërhyrjeve tokësore dhe ajrore, me fokus izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Vatrat kryesore aktive
Mali i Dajtit, Tiranë – Vatra vijon të jetë aktive në të dyja anët e kreshtës, por situata mbahet nën kontroll. Operacioni për izolimin e zjarrit vijon me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe një helikopter. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Vakumone, Tiranë – Situata është nën kontroll dhe vatra është izoluar. Nuk ka rrezik për banesat, ndërsa zona e Priskës vijon të jetë në monitorim.
Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të mëdha kundër zjarrit. Në terren janë angazhuar 180 forca bashkiake, 14 efektivë të Policisë, 30 efektivë të FA dhe dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt banesave. Operacioni vijon për izolimin e plotë të vatrës.
Qafë Helmës, Dibër/Bulqizë – Zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Bruç, Mat – Vijon ndërhyrja në një terren shkëmbor dhe të vështirë. Operacioni është përforcuar me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Lufaj, Mirditë – Vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe me avancim të lehtë. Në terren po punojnë strukturat e MZSH-së, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorët, të mbështetur nga një helikopter, dy automjete zjarrfikëse të FA dhe 9 efektivë ushtarakë.
Fushë-Lajë, Pukë – Operacioni vijon në terren të vështirë, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e flakëve drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe dy helikopterë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në bilancin e përgjithshëm, situata mbetet nën menaxhim, ndërsa pjesa më e madhe e vatrave është izoluar ose është vënë nën kontroll. Autoritetet raportojnë se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore aktive.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.







