Sokrat Lipan alias Vata, autori i dyshuar i vrasjes së turistit portugez në Ksamil ka dhënë deklarimet e para para grupit hetimor, duke treguar versionin e tij për mënyrën se si nisi dhe përfundoi përplasja me 21 vjeçarin. Sipas dëshmisë së tij, konflikti ka nisur fillimisht mes disa turistëve, të cilët, sipas tij, ishin nën efektin e alkoolit.
Pas vrasjes, Vata është ndihmuar nga një prej truprojave të Principotesit për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Efektivi Moisid Matushaj, i cili shërbente edhe si truprojë te ‘Principotes’ e ka transportuar Vatën, me një makinë në pronësi të tij, deri në qendër të Ksamilit dhe më pas vetë është kthyer sërish me të njëjtën makinë në kompleksin luksoz.
Më pas, Vata ka rënë në kontakt me dy turqit të cilëve u kërkoi ndihmë për ta larguar me makinë, derisa u arrestua në Levan brenda bagazhit.
Dy turqit të arrestuar, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak deklaruan se me Vatën kishin krijuar raport shoqëror dhe se disa herë e kishin paguar si shoqërues personal.
I dyshuari Vata ka pretenduar se u ka kërkuar turistëve të qetësoheshin, pasi në ambientet e lokalit ndodheshin edhe persona të tjerë. Por, sipas versionit të tij, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe mes tyre ka nisur përleshja fizike.
Para hetuesve, ai ka mohuar se e kishte me vete thikën me të cilën u godit për vdekje 21 vjeçari portugez.
Sipas pretendimit të tij, thika i përkiste viktimës dhe ai ia ka marrë gjatë përleshjes, duke e goditur më pas me të.
Ky është vetëm versioni i të dyshuarit dhe mbetet për t’u verifikuar nga hetimi.Ndërkohë, Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së zonës, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Nga pamjet e administruara deri tani janë fiksuar vetëm momentet e para të konfliktit. Për shkak të lëvizjes së njerëzve dhe kaosit të krijuar gjatë përleshjes, pamjet nuk japin një pasqyrë të qartë të gjithë situatës.
Ndërsa momenti i goditjes me thikë nuk është regjistruar, pasi vendi ku ka ndodhur ngjarja ndodhet në distancë nga kamerat dhe pamjet janë të vështira për t’u dalluar për shkak të errësirës.
21 vjeçari portugez kishte mbërritur në Shqipëri rreth një javë më parë, së bashku me disa miq, për të kaluar pushimet në Ksamil.
Ndërkohë, trupi i të riut vijon të qëndrojë në morg, pasi deri tani familjarët e tij nuk janë paraqitur pranë autoriteteve shqiptare për të kryer procedurat për tërheqjen e trupit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi se si nisi konflikti, kush e shkaktoi përplasjen dhe rrethanat e sakta në të cilat 21 vjeçari humbi jetën.







