Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratën për plotësimin e punimeve dhe përmirësimin estetik të autostradës Tiranë–Durrës, në segmentin nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit.
Kontrata është lidhur me bashkimin e kompanive “Fusha”, “Udha” dhe “Taulant” shpk dhe ka një vlerë prej gati 1.1 mld lekë, me TVSH. Kontrata është firmosur më 31 korrik dhe ka një afat zbatimi prej 12 muajsh, deri më 31 korrik 2027.
Projekti përfshin ndërtimin e 6 mbikalimeve përgjatë aksit. Ato parashikohet të ndërtohen në afërsi të zonës së Veko Group, pranë Universitetit Polis, pas QTU-së dhe urës së Lumit Lana në drejtim të Brunes, pranë FedEx Albania dhe në afërsi të pikës së karburantit Kastrati. Sipas ARRSH-së, mbikalimet synojnë të përmirësojnë aksesin në zonat përreth, përfshirë edhe fshatin Yrshek.
Një tjetër komponent i kontratës lidhet me përmirësimin e ndriçimit rrugor dhe elementeve të sigurisë, përmes instalimit të ndriçuesve LED dhe vendosjes së shtyllave të reja përgjatë segmentit.
Punimet përfshijnë gjithashtu veshjen dekorative të mureve të nënkalimeve në zonën e ish-Sheshit Shqiponja, si dhe riveshjen e shtresave asfaltike në pjesët e amortizuara të aksit.
Kontrata synon përfundimin e punimeve dhe përmirësimin estetik të segmentit të zgjeruar të autostradës Tiranë – Durrës, një pjesë e së cilës është hapur tashmë për qarkullim, ndërsa në seksione të tjera vijojnë ende punimet.







