Ballina Aktualitet “Në shtator, rikthim masiv i qytetarëve në protestë” – Arben Kola: Shqiptarët...

“Në shtator, rikthim masiv i qytetarëve në protestë” – Arben Kola: Shqiptarët do shkojnë drejt mosbindjes civile nëse s’ka reflektim nga qeveria!

28
0

Qëndresa qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij ka hyrë sot në ditën e saj të 81-të radhazi. Protestuesit janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej”, nga ku do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë për të zhvilluar fjalimet e radhës.

Aktivisti Arben Kola, e cilësoi këtë protestë si një “film të bukur” dhe një rast studimi, pasi askush nuk e kishte imagjinuar se qëndresa do të zgjaste kaq gjatë. Ai theksoi se çdo ditë që kalon po shihet një vetëdije e lartë qytetare dhe një rizgjim i të gjitha moshave, veçanërisht i rinisë dhe i moshës së tretë.

Kola paralajmëroi se në shtator, me rikthimin e familjeve dhe studentëve në Tiranë dhe përballë skandaleve të përditshme, shqiptarët do të kthehen edhe më fuqishëm duke shkuar drejt mosbindjes civile si pasojë e mosreflektimit dhe provokimeve nga ana e pushtetit.

Aktivisti nënvizoi se reagimi minimal i qeverisë duhet të kishte qenë dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, protesta ka dëshmuar qytetari të lartë dhe është vlerësuar nga Europa dhe bota për modelin e saj perëndimor. Kola përfundoi se shqiptarët kanë treguar se janë gati prej kohësh për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por ky rrugëtim po pengohet drejtpërdrejt nga qeverisja aktuale.