Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ironizuar propozimin për krijimin e 26 bashkive te Vangjel Tavos. Në reagimin e saj, Zhupa ironizon duke e lidhur me modelin e zhvillimit të Bashkisë Himarë dhe me favorizimin e investimeve strategjike. Sipas saj më kollaj për investimet strategjike do ishte Shqipëria një bashki.
Zhupa shprehet se, reforma territoriale duhet të matet me pyetjen nëse qytetarët do të marrin më shumë dhe më mirë shërbime, ndërsa një numër më i madh bashkish nuk garanton automatikisht ujë, rrugë, pastrim, shkolla apo administratë më pranë komunitetit.
Postimi i plotë:
Tavo dhe bashkitë në tavën e Ramës! 26 bashki, si një rikthim nostalgjik te komitetet ekzekutive të komunizmit. Ky është propozimi i Tavos për reformën territoriale.
Një bashki si e Himara e Tavos që e ka modelin e zhvillimit vetëm investimet strategjike, dhurimin e tokës publike sigurisht që sa më e madhe aq më mire. Më shumë terren që investimet e mëdha të “strategjikëve” të kalojnë në pak duar.
Nëse reforma territoriale bëhet për t’i shërbyer tavës së Ramës, për të ndarë investimet strategjike mes miqve dhe klientëve të pushtetit,kjo është zgjidhje e mirë, mundësisht edhe Shqipëria një bashki.
Por kur flasim për reformën territoriale, pyetja kryesore duhet të jetë: A do të marrë qytetari më shumë dhe më mirë shërbime? A do të ketë ujë, rrugë, pastrim, shkolla, transport dhe administratë më pranë tij?
Asnjë model europian nuk flet për sukses duke larguar shërbimet nga qytetari dhe duke centralizuar pushtetin lokal. Përkundrazi, decentralizimi dhe shërbimet pranë komunitetit janë baza e një qeverisjeje moderne. Dhe kur tavën e reformës e gatuan Rama, qytetarit i mbetet vetëm fatura.







