Ballina Aktualitet Sako qelb Durrësin! Mbi 300 familje mes erës së plehrave: “Prej 3...

Sako qelb Durrësin! Mbi 300 familje mes erës së plehrave: “Prej 3 vitesh nuk hapim dritaret”, banorët bllokojnë kamionët

39
0

Banorët e lagjes nr. 15 në Durrës kanë protestuar paraditen e së enjtes për situatën e krijuar pranë ish-Parkut të Autobusëve, ku kamionët që mbledhin mbetjet urbane të qytetit vijojnë të shkarkojnë ngarkesat e tyre përpara transportimit drejt landfillit të Sharrës.

Hapësira në zonën e Spitallës përdoret si një pikë e ndërmjetme grumbullimi, por për banorët e pallateve përreth ajo është kthyer në një burim të vazhdueshëm ndotjeje dhe ere të rëndë, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës.

Problemi nuk është i ri. Që në qershor të vitit 2021 mediat raportonin se, gjatë krizës së mbetjeve në Durrës, kamionët e pastrimit shkarkonin mbeturina te ish-Parku i Autobusëve. Edhe atëherë banorët ankoheshin për erën e rëndë, mushkonjat dhe pamundësinë për të mbajtur hapur dritaret e banesave.

Pesë vjet më vonë, banorët thonë se ajo që duhej të ishte një zgjidhje e përkohshme vazhdon të jetë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Sipas tyre, Bashkia e Durrësit kishte premtuar ngritjen e një pike të posaçme tranziti për mbetjet, por ajo nuk është ndërtuar ende. Ndërkohë, gjatë verës, era e mbetjeve të depozituara pranë pallateve bëhet edhe më e rëndë.

Banorët thonë se ankesat e vazhdueshme pranë Bashkisë nuk kanë sjellë zgjidhje. Paraditen e sotme ata vendosën të bllokojnë për rreth një orë lëvizjen e kamionëve të mbetjeve, duke kërkuar zhvendosjen e vendgrumbullimit nga zona e banuar dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Një prej banorëve thotë se situata prek më shumë se 300 familje dhe këmbëngul se protesta nuk ka motive politike.

“Janë mbi 300 familje që preken. Nuk jemi këtu për arsye politike, për të mos thënë që të gjithë këta që protestojnë këtu janë të gjithë socialistë. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë. Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur. Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale. Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, shprehet ai.

Historia e ish-Parkut të Autobusëve tregon se shqetësimi i banorëve nuk lindi këtë verë. Raportimet e vitit 2021 dokumentojnë të njëjtin vend, të njëjtin problem dhe pothuajse të njëjtën ankesë: mbetje pranë banesave dhe dritare që nuk mund të hapen.

Pesë vjet më pas, banorët e lagjes nr. 15 kërkojnë që zgjidhja e përkohshme të mos mbetet e përhershme.