Ballina Politika Konomi rrëfeu përplasjen në Vuno, Rama kundërpërgjigjet me një gjysmë video: Shau...

Konomi rrëfeu përplasjen në Vuno, Rama kundërpërgjigjet me një gjysmë video: Shau gruan time si i përdalë…

51
0

Një ditë pas përplasjes së ndodhur në Vuno mes gazetarit dhe aktivistit Arian Konomi dhe pjesëtarëve të eskortës së kryeministrit Edi Rama, kreu i qeverisë ka publikuar një tjetër video nga momenti i incidentit, duke pretenduar se pamjet e reja tregojnë një tjetër dinamikë të ngjarjes.

Gazetari Konomi rrëfeu mbrëmë përplasjen me çiftin kryeministror dhe gjuhën vulgare të Linda Ramës, e cila sipas tij e ka kërcënuar duke i thënë: E di ku ti fus ata fiq. Gjithashtu ai ka treguar edhe për largimin me dhunë nga shoqëruesit e Ramës dhe shoqërimin më pas në polici.

Në një postim në Facebook, Rama shkruan se “ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër”, ndërsa shprehet se pamjet tregojnë “krejt të kundërtën” e asaj që, sipas tij, një dhunues i lirisë së të tjerëve paskësh vrapuar ta tregojë botërisht.

Sipas Ramës, në videon e publikuar (Video pak sekonda dhe jo e plotë), shihet një situatë ndryshe nga rrëfimi i bërë më herët nga Konomi. Kryeministri pretendon se pamjet e reja tregojnë se ngjarja ka pasur një tjetër zhvillim dhe se ajo që është përcjellë në rrjetet sociale nuk përputhet me atë që shihet në video.

Rama e shoqëron postimin edhe me një koment ironik, duke shkruar.

Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinoni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”.

Kryeministri e shoqëron tekstin me disa emoji, ndërsa e vendos publikimin në kontekstin e debatit mbi mënyrën se si ngjarja është pasqyruar pas përplasjes në Vuno.

Incidenti ndodhi dje, më 20 gusht, dhe u shoqërua me reagime të shumta në rrjetet sociale. Në qendër të debatit ishte përplasja e Konomit me pjesëtarë të sigurisë së kryeministrit, ndërsa më pas gazetari u shoqërua në polici.

Videoja e publikuar sot nga Edi Rama sjell një tjetër pjesë të momentit të debatit dhe, sipas kryeministrit, shërben për të kundërshtuar versionin e ngjarjes të bërë publik më herët.