Ballina Kronika U vra me thikë në Ksamil, miqtë e portugezit zbulojnë si nisi...

U vra me thikë në Ksamil, miqtë e portugezit zbulojnë si nisi konflikti: 20-vjeçari ndërhyri për të mbrojtur një vajzë

53
0

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luís Miguel Varela Mendes, i cili u godit për vdekje me thikë në orët e para të mëngjesit të së martës në Ksamil.

Sipas mediave portugeze, miqtë që shoqëronin të riun kanë dhënë dëshminë e tyre para Policisë shqiptare pasditen e së enjtes, duke treguar se konflikti dyshohet se nisi pasi Mendes ndërhyri për të ndihmuar një vajzë që po ngacmohej në rrugë.

Të rinjtë kanë deklaruar se gjatë qëndrimit në Ksamil kishin hasur një vajzë e cila po shqetësohej nga një grup personash. Sipas tyre, 20-vjeçari portugez ishte i pari që ndërhyri për t’i ardhur në ndihmë dhe për të ndalur ngacmimin.

Në grupin që dyshohet se po shqetësonte vajzën, sipas dëshmisë së miqve të viktimës, ndodhej edhe Sokrat Vata, i cili konsiderohet i dyshuari kryesor për vrasjen e të riut portugez.

Pas ndërhyrjes së Mendes, mes dy grupeve dyshohet se ka nisur një debat, i cili ka vijuar deri pranë hyrjes së një resorti në qytetin bregdetar. Pikërisht aty, sipas dyshimeve të autoriteteve shqiptare, situata ka degraduar në dhunë dhe 20-vjeçari është goditur me thikë.

Plagët e marra rezultuan fatale për të riun portugez, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Ndërkohë, trupi i Luís Miguel Varela Mendes vijon të qëndrojë në Shqipëri për kryerjen e autopsisë, e cila pritet të japë të dhëna të mëtejshme mbi shkakun e vdekjes.