Ballina Aktualitet Zhvati të varfrit/ Parlamenti i Kenias vë nën hetim mëmën e Kredos

Zhvati të varfrit/ Parlamenti i Kenias vë nën hetim mëmën e Kredos

47
0

Parlamenti i Kenias ka nisur një hetim mbi Mogo Auto, kompaninë motër të Kredo Albania, për mashtrim, kredi grabitqare dhe praktika kriminale të huadhënies. Hetimi nisi pas një peticioni të Shoqatës së Motorëve Taksi.

Shoqata i ka kërkuar Parlamentit të investigojë ato që i përshkruan si praktika të padrejta kreditimi dhe financimi nga ana e Mogo Auto Limited.

Peticioni pretendon se disa huamarrës janë përballur me norma të larta interesi dhe tarifa shtesë, mosbërje publike në mënyrë adekuate të kushteve të kredisë, si dhe vështirësi në marrjen e dokumenteve të pronësisë së mjetit edhe pasi kanë shlyer shuma të konsiderueshme.

Zhvati të varfrit/ Parlamenti i Kenias vë nën hetim

Ai gjithashtu ngre pikëpyetje mbi sekuestrimin e motorëve pas mospagimit të kësteve, përdorimin e pajisjeve gjurmuese (GPS), pretendimet për siguracionet dhe menaxhimin e të dhënave personale të klientëve.

Mogo dhe Kredo zotërohen nga grupi Eleving, ku i pari shërben si krahu i financimit të mjeteve, ndërsa i dyti si institucioni i kredive konsumatore.

Nga krimi në krim
Në tetor të vitit 2024, Autoriteti i Konkurrencës në Kenia (CAK) gjeti se Mogo Auto kishte shkelur Aktin e Konkurrencës pas hetimit të ankesave nga katër klientë.

Autoriteti doli në përfundimin se kompania ishte përfshirë në paraqitje të rreme dhe mashtruese, si dhe në sjellje të pandërgjegjshme gjatë lëshimit dhe administrimit të produkteve të kredisë duke e gjobitur atë me 72 mijë euro.

Ndërsa akuzat e fundit nga operatorët e motorëve “boda boda” mbeten vetëm pretendime që kërkojnë hetim parlamentar, ekziston tashmë një rekord rregullator i dokumentuar që tregon se disa klientë kanë pasur më parë shqetësime mjaft serioze, të cilat çuan në masa ndëshkimore.

Skema e zhvatjes është e njëjtë me atë që kjo kompani aplikon në çdo vend të botës. Dhënien e kredive grabitqare për të varfrit dhe më pas sekuestrimin e aseteve të tyre të mbijetesës ose zhytjen në spiralen e pafundmë të borxheve.

Për mijëra drejtues të motorëve taksi në Kenia, financimi i një mjeti nuk është thjesht një vendim i zakonshëm për kredi konsumatore. Motorri është shpesh mjeti i vetëm përmes të cilit huamarrësi gjeneron të arvhurat e nevojshme për të paguar vetë kredinë në radhë të parë.

Nëse motori sekuestrohet pas një mospagimi kësti, huamarrësi mund të humbasë jo vetëm mjetin, por edhe vetë mundësinë për të gjeneruar paratë që duhen për të shlyer borxhin e mbetur.

Sekuestrimet sipas mediave keniane janë duke shkatërruar me mijëra familje të varfra duke i zhytur ato më thellë në varfëri dhe në ciklin e borxheve të pafundme./kapital