62-vjeçari u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune gjurmuese 48-orëshe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjes në terren me pajisje dron, pasi dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Piromani”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.
Arrestimi i tij u krye për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se, gjatë ditëve të mëparshme, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.
Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. D. ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij shtetasi dhe verifikimin e përfshirjes së tij edhe në zjarrvënie të tjera të ndodhura më herët në territorin e Bashkisë Mirditë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







