Ballina Rajoni Arrestohet djali i ministrit të kulturës në Bosnje, dyshohet për zjarrvënie në...

Arrestohet djali i ministrit të kulturës në Bosnje, dyshohet për zjarrvënie në fabrikën e jahteve dhe lidhje me krimin e organizuar

79
0

Një zjarr që shkatërroi një fabrikë jahtesh në Bosnje-Hercegovinë ka çuar në arrestimin e katër personave, mes tyre edhe djalit minoren të ministrit të Kulturës të Kantonit të Sarajevës, Kenan Magoda. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet se lidhet me krimin e organizuar, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin se kush e porositi sulmin.

Flakët përfshinë më 21 gusht fabrikën “Derubis Yachts” në qytetin e Vitezit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Bashkëpronarja e kompanisë, Lejla Kraljević, deklaroi menjëherë pas ngjarjes se ishte e bindur se bëhej fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, dyshim që u përforcua edhe nga hetimet e policisë.

Brenda pak ditësh, hetuesit identifikuan katër të dyshuar, mes tyre dy të mitur. Ministri Kenan Magoda konfirmoi se njëri prej tyre është djali i tij dhe tha se nuk do të kërkojë asnjë trajtim të veçantë. “Nëse pretendimet e bëra sot rezultojnë të vërteta dhe nëse vërtetohet përgjegjësia e fëmijës tim, si baba do të kërkoj që ai të përballet me pasojat më të rënda që parashikon ligji”, shkroi Magoda.

Sipas mediave boshnjake një nga të arrestuarit ka pranuar se grupi ishte paguar për të kryer zjarrvënien nga Almedin Ćato, një person me precedentë të shumtë penalë. Sipas raportimit, ai njihet nga policia si person që rekruton të mitur për të kryer veprime kriminale. Megjithatë, motivi i sulmit ndaj fabrikës mbetet ende i paqartë.

Rasti ka marrë edhe përmasa politike, pasi vjen vetëm pak javë para zgjedhjeve të 4 tetorit në Bosnje-Hercegovinë. Opozita ka akuzuar partitë në pushtet, ndërsa kritika ndaj ministrit Magoda kanë ardhur edhe nga figura pranë koalicionit qeverisës. Mes tyre është edhe regjisori fitues i çmimit “Oscar”, Danis Tanović, i cili tha se sektori i kulturës në Kantonin e Sarajevës nuk ka qenë kurrë në gjendje më të keqe dhe u bëri thirrje njerëzve të kulturës të ushtrojnë presion për mënyrën se si zgjidhet ministri i ardhshëm i Kulturës.