Ballina Europë Frika nga lufta dhe sulmet kibernetike, evropianët po mbajnë gjithnjë e më...

Frika nga lufta dhe sulmet kibernetike, evropianët po mbajnë gjithnjë e më shumë para të gatshme në shtëpi

50
0

Në një kohë kur pagesat me kartë, telefon apo orë inteligjente janë bërë pjesë e përditshmërisë, mund të duket paradoksale që gjithnjë e më shumë evropianë po zgjedhin të mbajnë para cash në shtëpi.

Por sipas Bankës Qendrore Evropiane (BQE), kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në kontinentin plakë.

Arsyeja nuk është nostalgjia për kartëmonedhat apo mosbesimi ndaj teknologjisë. Frika nga luftërat, sulmet kibernetike, ndërprerjet masive të energjisë, zjarret, përmbytjet dhe ngjarje të tjera që mund të paralizojnë sistemet elektronike të pagesave ka bërë që shumë familje ta shohin paranë fizike si një “rrjet sigurie”.

Shifrat tregojnë qartë këtë ndryshim. Sipas të dhënave të BQE-së, të cituara nga The Guardian, vlera e kartëmonedhave euro në qarkullim është rritur nga rreth 1 trilion euro në vitin 2016 në 1.6 trilionë euro në qershor të vitit 2026. Në qarkullim ndodhen mbi 31 miliardë kartëmonedha, ndërsa para pandemisë ishin rreth 24 miliardë.

Paradoksi i kartëmonedhave

Banka Qendrore Evropiane e përshkruan këtë fenomen si “paradoksi i kartëmonedhave”. Nga njëra anë, paratë cash përdoren gjithnjë e më pak për blerjet e përditshme. Nga ana tjetër, qytetarët vazhdojnë t’i mbajnë pranë vetes si një rezervë për raste emergjente.

Të dhënat e BQE-së tregojnë se nga viti 2019 deri në vitin 2024, pesha e pagesave me para fizike në dyqane ra nga 72% në 52% sipas numrit të transaksioneve. Edhe sipas vlerës së transaksioneve pati rënie, nga 47% në 39%.

Megjithatë, 62% e banorëve të Eurozonës deklarojnë se është “shumë” ose “mjaft” e rëndësishme që të ekzistojë mundësia për të paguar me para cash.

Sipas BQE-së, kartëmonedhat janë si goma rezervë e një makine. Mund të mos përdoren çdo ditë, por kur sistemi kryesor dështon, bëhen të domosdoshme.

Rekomandimi i disa vendeve: Mbani para në shtëpi

Pikërisht për këtë arsye, disa vende evropiane kanë nisur t’u rekomandojnë qytetarëve që të kenë gjithmonë një shumë parash në shtëpi.

Holanda, Austria dhe Finlanda këshillojnë që çdo familje të mbajë rreth 70 deri në 100 euro për person, ose një shumë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet bazë për të paktën 72 orë.

Në Finlandë madje po shqyrtohet edhe krijimi i bankomateve që do të mund të funksionojnë edhe në rast të ndërprerjeve të mëdha të sistemeve dixhitale.

Këto rekomandime janë pjesë e strategjisë evropiane të përgatitjes për emergjenca, e cila parashikon që familjet të jenë në gjendje të përballojnë tri ditë pa ndihmë të jashtme. Përveç ujit, ushqimeve, ilaçeve dhe një radioje me bateri, në listën e mjeteve të domosdoshme përfshihen edhe paratë cash.

Ndërprerja e dritave në Spanjë ndryshoi sjelljen e qytetarëve

Sa e rëndësishme mund të jetë një rezervë me para fizike u pa gjatë ndërprerjes masive të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali në prill të vitit 2025.

Blackout-i preku më shumë se 50 milionë njerëz dhe nxori jashtë funksionit terminalet POS, bankomatet, aplikacionet bankare dhe shërbimet e transfertave.

Sipas të dhënave të CaixaBank Research, konsumi total ra me 34% ditën e ndërprerjes, ndërsa pagesat me kartë në dyqanet fizike ranë me 42%. Edhe blerjet online pësuan një rënie prej 54%.

Edhe tërheqjet e parave nga bankomatet ranë me 34%, kryesisht sepse shumë ATM nuk funksiononin. Por sapo energjia elektrike u rikthye, qytetarët nxituan të tërhiqnin para, jo vetëm për të zëvendësuar ato që kishin shpenzuar, por edhe për të krijuar një rezervë të re për raste të ngjashme.

Në fakt, edhe para blackout-it, 39% e spanjollëve deklaronin se mbanin para në shtëpi si masë paraprake.

Pandemia dhe lufta në Ukrainë rikthyen kërkesën për kartëmonedha

Fenomeni nuk nisi me blackout-in.

Gjatë pandemisë së COVID-19, ndonëse pagesat pa kontakt u përhapën me shpejtësi, emetimi neto i kartëmonedhave në Eurozonë u rrit me më shumë se 140 miliardë euro vetëm gjatë vitit 2020.

Shpjegimi ishte i thjeshtë: njerëzit përdornin më pak cash për blerje, por donin ta kishin pranë për çdo rast.

E njëjta sjellje u vu re edhe pas pushtimit rus të Ukrainës. Në Estoni, Letoni, Lituani, Sllovaki dhe Finlandë, kërkesa për kartëmonedha u rrit ndjeshëm, pavarësisht se këto janë ndër vendet më të dixhitalizuara në Evropë.

Mësimi nga Greqia

Një shembull tjetër është Greqia gjatë krizës së borxhit në vitin 2015.

Në kulmin e krizës financiare, qytetarët nxituan të tërhiqnin kursimet nga bankat. Vetëm në qershor të atij viti, emetimi neto i kartëmonedhave iu afrua 5 miliardë eurove. Pas një takimi të Eurogrupit që përfundoi pa marrëveshje, tërheqjet në një ditë të vetme kaluan 300 milionë euro.

Sipas vlerësimeve të BQE-së, përshkallëzimi i krizës krijoi një kërkesë shtesë për rreth 11.2 miliardë euro kartëmonedha brenda gjashtë muajve.

Cash-i mbetet i rëndësishëm edhe për arsye sociale

Përtej emergjencave, Banka Qendrore Evropiane thekson se paratë cash vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm social.

Ato u japin mundësi të marrin pjesë në jetën ekonomike njerëzve që nuk kanë llogari bankare, smartphone apo aftësi dixhitale. Për të moshuarit, banorët e zonave të largëta, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet më të varfra, pagesat me para fizike mbeten një domosdoshmëri dhe jo thjesht një zgjedhje.

Sipas BQE-së, në Evropën gjithnjë e më dixhitale, kartëmonedhat nuk po rikthehen si simbol i së shkuarës. Ato po mbeten një garanci për përfshirjen sociale, privatësinë, lirinë e zgjedhjes dhe sigurinë në rast se sistemet elektronike të pagesave ndalojnë së funksionuari.