Policia ka identifikuar dhe kapur autorin e dyshuar të aksidentit tragjik në Rrashbull të Durrësit, në aksin Shkozet-Shijak, ku humbi jetën 41-vjeçari Vasil Hasani.
Aksidentoi me automjetin që drejtonte një biçiklist, me pasojë vdekjen e tij, dhe u largua nga vendi i ngjarjes, pas 48 orësh, Policia identifikon dhe arreston drejtuesin e automjetit.
Në vijim të njoftimit të datës 21.08.2026, për një aksident rrugor me pasojë vdekjen, në aksin rrugor Rrashbull–Xhafzotaj, Durrës, ku u gjet i pajetë shtetasi V. H., 41 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës, ju informojmë se:
Pas një pune intensive hetimore nga strukturat e Qarkullimit të Policisë Rrugore të Durrësit, është bërë e mundur identifikimi i automjetit dhe i autorit të dyshuar të aksidentit.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i shtetasit R. R., 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës, si dhe u gjet automjeti tip “Benz A-Class”, me të cilin dyshohet se ka përplasur biçiklistin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Pas përplasjes, drejtuesi i automjetit u largua nga vendi i aksidentit, duke e lënë 41-vjeçarin, pa ndihmë, të shtrirë në rrugë, në errësirë. Vasili po kthehej në shtëpi në orët e para të së premtes, kur teksa lëvizte me biçikletë, rreth orës 02:00 u përplas nga një automjet.
Për rreth katër orë, 41-vjeçari dyshohet se mbeti në rrugë pa marrë ndihmën e nevojshme. Vetëm rreth orës 06:00, një kalimtar e gjeti dhe njoftoi autoritetet, por për Vasilin ishte tepër vonë. Ai kishte humbur jetën.
Vasili ishte baba i tre fëmijëve të mitur, dy djemve 14 dhe 10 vjeç dhe një vajze 13-vjeçare. Ai la pas bashkëshorten dhe fëmijët e tij, Vjolnin, Klajdën dhe Ermalin. Gjithashtu në dhembje të thellë edhe prindërit e tij të moshuar.
Ditën e sotme është hapur një fushatë në GoFundMe për të mbështetur familjen Hasani, e cila pas humbjes së 41-vjeçarit përballet me një situatë të vështirë.
Apeli i familjarit që ka hapur fushatën, nipit të Hasanit, është për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të jetë një mbështetje për bashkëshorten dhe tre fëmijët që kanë humbur babanë.







