Ballina Kronika Gjendet thika me të cilën u vra 21-vjeçari portugez në Ksamil, prova...

Gjendet thika me të cilën u vra 21-vjeçari portugez në Ksamil, prova kyçe për zbardhjen e krimit

58
0

Policia e Sarandës ka gjetur thikën që dyshohet se është përdorur në vrasjen e 21-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendez, ngjarje e rëndë e ndodhur në Ksamil.

Gjetja e armës së krimit përbën një provë të rëndësishme për hetimin, ndërsa pritet që thika t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike dhe biologjike për të përcaktuar gjurmët që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

21-vjeçari portugez mbeti i vrarë me thikë pas një konflikti të nisur në ambientet pranë klubit “Principote” në Ksamil. Sipas dëshmive të administruara gjatë hetimit, përplasja nisi mes disa turistëve të huaj dhe personave të lidhur me sigurinë e lokalit, ndërsa situata më pas përshkallëzoi në një konflikt fizik.

Në dëshminë e tij, Tourpal Khitaev, shtetas francez dhe mik i viktimës, ka deklaruar se ishte përfshirë në konflikt dhe se Luis Miguel Varela Mendez kishte ndërhyrë për të ndalur personat që po e godisnin. Khitaev ka thënë se nuk e ka parë momentin kur shoku i tij është goditur me thikë, por ka identifikuar përmes fotografive Sokrat Vatën si personin që, sipas tij, mbante thikën gjatë konfliktit.

Edhe një tjetër dëshmitar, Florian Cetina, ka rrëfyer për hetuesit se kishte parë viktimën me këmishën e mbuluar me gjak dhe se personat e përfshirë në konflikt ishin larguar me vrap drejt lokalit. Ai ka përshkruar gjithashtu personin që dyshohet se përdori thikën, duke e identifikuar përmes fotografive.