Alis Kallaci ka përmbyllur aventurën e tij në Eurovision Song Contest 2026 duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”, një performancë që u prit me shumë emocione nga publiku shqiptar dhe ai europian.
Artisti i ri arriti të tërhiqte vëmendje gjatë gjithë kompeticionit me interpretimin e tij emocional, ndërsa gjatë javëve të Eurovisionit mori mbështetje të madhe nga fansat dhe ndjekësit në rrjetet sociale.
Pas finales, Alis ka reaguar me një mesazh prekës në Instagram, ku falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në këtë eksperiencë të rëndësishme për karrierën e tij.
“Kur nisi gjithçka, mu duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime”, -shkroi ai, duke treguar emocionet dhe pasiguritë që kishte ndjerë si një artist i ri në një skenë kaq të madhe ndërkombëtare.
Këngëtari theksoi se forca më e madhe gjatë këtij rrugëtimi kanë qenë publiku, votat dhe mesazhet mbështetëse që mori nga shqiptarët. Ai u shpreh se kjo eksperiencë do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij dhe se ka mësuar shumë jo vetëm artistikisht, por edhe emocionalisht.
Postimi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjet, ku shumë ndjekës e kanë përgëzuar për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Eurovision.







