Ballina Aktualitet “Poshtë narkoshteti”/ Mbyllet protesta e 85-të kundër qeverisë, qytetarët s’heqin dorë nga...

“Poshtë narkoshteti”/ Mbyllet protesta e 85-të kundër qeverisë, qytetarët s’heqin dorë nga kërkesat e tyre: Nuk pranojmë asnjë ndryshim kabineti!

74
0

Është mbyllur protesta e qytetarëve para Kryeministrisë, e cila sot shënoi ditën e 85-të saj, ku u bënë sërish thirrje për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Qytetarët, sikurse çdo ditë, u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku shprehën edhe njëherë se nuk do të heqin dorë nga lëvizja e tyre derisa Rama të japë dorëheqjen.

Fjalën e morën aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët përsëritën 5 kërkesat e tyre të panegociueshme si dhe artikuluan korrupsionin, keqqeverisjen, ndërsa bënë thirrje për më shumë pjesëmarrje në vijim.

Aktivisti Arben Kola theksoi se ata nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për largimin e kryeministrit dhe se çdo tentativë për të bërë ndryshime në kabinetin qeveritar nuk do të pranohet nga protestuesit në shesh.

“Nuk duam asnjë ministri dhe asnjë ndryshim kabineti. Fasadat me ndryshim kabineti nuk pinë më ujë për popullin shqiptar. Ai po të dojë të ndryshojë të gjithë kabinetit, për ne nuk përbën aspak lajm. Objektivi është i qartë, rrëzimi i Ramës, i qeverisë, qeveri teknike e me radhë. I pabesi nuk ka besë”, tha ai.

Një tjetër theksoi se kryeministri ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm nga protesta, megjithëse ai përpiqet të tregohet si i fortë.