Nga Thoma Gëllçi
Shqiptari nuk merret me beteja të vogla. Nuk merret me ujin që vjen me orar, me faturën e dritave që rritet, me pensionin që mbaron para datës 20, me rrogën që nuk arrin fundin e muajit, me shkollën që boshatiset, me spitalin ku duhet të njohësh dikë apo me gjykatën ku çështja mund të plaket bashkë me paditësin. Shqiptari nuk merret me korrupsionin që gëlltit taksat e tij, bile e pëlqen atë bakshishin e vogël kudo që shkon për të mbaruar ndonjë punë në shtet. Nuk shqetësohet as për gllabërimin e pronave, tokave, kodrave, maleve, plazheve dhe lumenjve.
Këto janë halle të vogla. Shqiptari ka marrë përsipër probleme më serioze: Sorosin dhe Trumpin. Si zakonisht, shqiptarët ndahen në dy ushtri të mëdha: njëra palë do që të mbrojë Trumpin nga amerikanët që mbështesin Sorosin dhe tjetra se si të mbrojë Sorosin nga amerikanët që mbështesin Trumpin.
Shqiptari nuk e shqetëson fare paraja e pistë që derdhet në fushatat elektorale në lagjen e vet, nuk shqetësohet kush i paguan posterat, kush i siguron autobusët me militantë, kush merr tenderat pas zgjedhjeve dhe pse i njëjti biznesmen del gjithmonë pranë çdo qeverie. Atë e shqetëson Sorosi se përse financon zgjedhjet në gjysmën tjetër të botës. Ai nuk shqetësohet fare se ku gjenden paratë e partisë që ai voton, por ai shqetesohet per fondacionet e Sorosit në Budapest, Uashington, Bruksel e Tiranë.
Shqiptari është shumë i shqetësuar që Soros financon organizata të shoqërisë civile. Nuk shqetësohet fare që vendi importon grurin, mishin, qumështin, karburantin, ilaçet, makineritë dhe thuajse çdo gjë tjetër që konsumon, por e shqetëson jashtë mase një seminar i financuar nga një fondacion i Sorosit për demokracinë në Hungari. Nuk i bën përshtypje që të rinjtë ikin dhe fshatrat mbeten me tre pleq sepse vendi nuk ka punë, por nëse një OJQ flet për kufijtë e hapur, ai kupton menjëherë se kombi është në rrezik.
Shqiptari është i shqetësuar se Sorosi financon media në Kazakistan dhe Armeni. Atij nuk i hyn në punë fare se si financohet televizori që sheh çdo mbrëmje, çfarë lejesh ndërtimi ka marrë ai pronar, me cilin ministër pi kafe dhe çfarë kontratash ka me shtetin. Shqiptari shqetësohet se media botërore kontrollohet nga Sorosi.
Emigracioni është një çështje që shqiptari e diskuton me shumë shqetësim nga kafeneja në Detroit, Milano, Londër, Athinë apo Bruksel, ku ka shkuar vetë si emigrant dhe ku djali i tij kërkon të marrë shtetësinë. Vëllai është në Amerikë, vajza në Gjermani, kushëriri në Kanada, gjysma e fshatit në Itali, por problemi i madh është se emigrantët po ndryshojnë demografinë e Evropës.
Në Shqipëri, ndërkohë, demografia ndryshon pa ndihmën e Sorosit. Shkollat mbyllen sepse nuk ka fëmijë, maternitetet kanë më pak lindje, shtëpitë e fshatrave janë bosh dhe në disa familje darka e Vitit të Ri bëhet me telefon, sepse fëmijët janë shpërndarë në katër shtete. Por kjo nuk quhet komplot global dhe, për pasojë, nuk të jep ndonjë kënaqësi të madhe ta diskutosh.
Shqiptari është vigjilent ndaj agjendës progresiste të Sorosit. Shqetësohet për LGBTQ-në, edukimin seksual, legalizimin e drogës, reformën penale dhe çdo ide që mund të vijë nga një universitet amerikan. Ndërsa qe në shkollën e lagjes së tij mund të mungojë psikologu, mësuesi mund të ketë tridhjetë e pesë nxënës në klasë, nuk ka ngrohje dhe ftohje apo që një adoleshent mund të blejë drogë më kollaj sesa një libër nuk shqetesohet..
Ndërkohë banka ku ai ka kredinë mund t’i rrisë këstin, siguracioni mund t’i dyfishohet, një apartament mund të kushtojë sa pesëdhjetë vjet rroga dhe pensionisti mund të zgjedhë mes mishit dhe ilaçeve, por këto janë çështje teknike. Spekulimet e Sorosit në bursë janë çështja kryesore që e intereson.
Kur mbaron turni me Sorosin, fillon turni me Trumpin.
Njëra palë shqetësohet çdo ditë nëse gjykatat amerikane, mediat, demokratët apo republikanët kundërshtarë po i bëjnë padrejtësi Trumpit. Shqiptari mund të jetojë në një vend ku një gjyq zgjat dhjetë vjet, ku një vendim gjykate mund të mos zbatohet, ku drejtësia është një nga ankesat kryesore të qytetarëve, por halli i tij janë gjyqet që hap apo i hapen Trumpit.
Nëse Trumpi flet për zgjedhjet, shqiptari hyn menjëherë në betejë. Analizon votimin me postë, regjistrat zgjedhorë, identifikimin e votuesve dhe numërimin në Pensilvani, ndërsa në Shqipëri nuk shqetësohet për listat e kandidatëve të mbyllura, për patronazhistët, për blerjen e votës, për administratën që vihet në shërbim të partisë. Këto janë probleme të njohura, prandaj nuk ngjallin më asnjë emocion.
Nëse Trumpi flet për emigracionin, shqiptari bëhet menjëherë roje kufiri. Ai di çfarë duhet bërë në kufirin e Teksasit me Meksikën, sa të lartë duhet të jenë muret dhe sa e rreptë duhet të jetë politika ndaj emigrantëve të paligjshëm. Ndërkohë Shqipëria humbet çdo vit të rinj, mjekë, infermierë, inxhinierë, mësues dhe zanatçinj, por kjo ikje masive nuk trajtohet me të njëjtën urgjencë. Për kufirin amerikan ka plan; për boshatisjen e vendit ka një fjali: “Të rinjtë duan të ikin.”
Edhe NATO-ja e shqetëson shumë shqiptarin. Ai di saktësisht sa duhet të paguajë Gjermania, Franca apo Italia për mbrojtjen dhe nëse Trumpi ka të drejtë t’u kërkojë aleatëve më shumë. Por nuk i intereson fare të dijë sa e aftë është mbrojtja civile, sa të përgatitur jemi për zjarre, përmbytje apo tërmete, çfarë kapacitetesh reale ka shteti dhe sa nga siguria jonë varet nga të tjerët.
Ushtria tjetër, ajo që mbron Amerikën nga Trumpi, nuk është më pak e zënë. Ajo kontrollon çdo deklaratë të tij për të parë nëse demokracia amerikane është në rrezik, por mund të jetojë fare qetë me faktin që në Shqipëri partitë kanë kryetarë pothuajse të përjetshëm, parlamenti shpesh funksionon si zgjatim i liderëve, institucionet e pavarura akuzohen vazhdimisht për ndikim politik dhe qytetari ka pak mundësi reale të ndikojë në vendimmarrje.
Shqiptari mund të shqetësohet shumë nëse Trumpi sulmon një gazetar amerikan, ndërsa nuk i bën aq përshtypje kur një gazetar shqiptar humbet vendin e punës, kur një media mbahet ekonomikisht nga kontratat me qeverinë apo kur pronari i televizionit ka më shumë interesa në ndërtim sesa në gazetari. Liria e medias në Amerikë është çështje universale; liria e medias në Tiranë është “problem i pronarit”.
Nëse Trumpi konfliktohet me një universitet amerikan, shqiptari shqetësohet për lirinë akademike. Ndërkohë universitetet shqiptare mund të kenë laboratorë të dobët, kërkim shkencor minimal, pedagogë të keqpaguar dhe studentë që e shohin diplomën si biletë për t’u larguar nga vendi. Por për Harvardin mund të debatojmë gjithë natën; për universitetet tona nuk kemi asgjë për të thënë.
Në mbrëmje, shqiptari e ka të qartë çfarë duhet të bëjë Amerika me Trumpin. Ai nuk është i qartë se çfarë duhet të bëjë ai me hallet e tij.
Prandaj edhe kur dalin në protesta, shikon parrulla dhe protestues që thërrasin: Poshtë Soros! Poshtë Trump!
Se këto problemet tona të brendshme nuk mjaftojnë. Këto janë të vogla.
Ne jemi lindur për beteja të mëdha.







