Ballina Aktualitet Blendi Gonxhe, ku jeeeeeee? Max Amini sapo shiti 2 mln euro bileta...

Blendi Gonxhe, ku jeeeeeee? Max Amini sapo shiti 2 mln euro bileta në Tiranë, pa ty!

73
0

A e harruat se si Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhe, dhe pas tij e gjithë qeveria, shpërndante me ngulm postime, njoftime e promovime për koncertin e Kanye West, duke vënë në lëvizje të gjithë aparatin shtetëror për t’i shitur biletat e koncertit, dhe në fund dështuan dhe morën vendimin për t’i falur 4 milionë euro nga buxheti i shtetit një artisti ndërkombëtar? Ndërkohë që shteti merret me “dhurata” miliona eurosh për emra të mëdhenj të showbizz-it, arti dhe sipërmarrja private po tregojnë se suksesi i vërtetë nuk ka nevojë për vulën ose sponsorizimin e qeverisë.

Komiku me famë botërore Max Amini sapo ka bërë atë që pak kush e priste: ka shitur plotësisht 4 shfaqje radhazi në Pallatin e Kongreseve në Tiranë brenda dy ditëve.

Kalendari i shfaqjeve të shitura tërësisht:

28 Nëntor 2026 – Ora 18:00 (Anglisht)
28 Nëntor 2026 – Ora 21:00 (Anglisht)
29 Nëntor 2026 – Ora 17:00 (Anglisht)
29 Nëntor 2026 – Ora 20:00 (Anglisht)

Data e përzgjedhur nuk është thjesht një rastësi kalendari, por mban një simbolikë të fortë kombëtare. Max Amini zgjodhi të ngjitet në skenë fiks gjatë festave më të rëndësishme të shqiptarëve: 28 Nëntorin (Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit) dhe 29 Nëntorin (Ditën e Çlirimit).

Me një kapacitet prej 2,100 vendesh për çdo shfaqje, Amini arriti të mbledhë 8,400 spektatorë në total. Me një çmim mesatar bilete prej 245 eurosh (dhe me opsionin Meet & Greet që shton edhe 100 euro mbi çmimin bazë), xhiroja totale e gjeneruar nga ky aktivitet kap shifrën e rreth 2 milionë eurove në vetëm 48 orë.-shkruan VNA.

Dhe e gjithë kjo ndodhi në heshtje të plotë administrative! Ndërsa Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, u bë copa duke promovuar Kanye West dhe duke i garantuar mbështetje financiare marramendëse nga paratë e taksapaguesve, Max Amini erdhi pikërisht në ditët më festive të kombit, mbushi sallën katër herë rresht dhe realizoi një sukses financiar e artistik pa asnjë lek nga buxheti i shtetit e pa asnjë ndihmë nga ministria.

Ky rast lë një pyetje të hapur për menaxhimin e parasë publike në art: Pse duhet t’u falen miliona euro nga qeveria artistëve të huaj, kur publiku shqiptar është i gatshëm të mbushë sallat vetë kur arti dhe organizimi janë të nivelit të lartë?