Ballina Kulturë 5 figura historike që bënin jetë të dyfishtë

5 figura historike që bënin jetë të dyfishtë

44
0

Megjithëse historia ka prirjen t’i shndërrojë personazhet e saj në simbole njëdimensionale, këta njerëz tregojnë se pas asaj që kemi mësuar në librat e historisë fshiheshin histori shumë më të ndërlikuara.

Çarls Lindberg

Image

Pasi realizoi fluturimin e parë transatlantik i vetëm nga Nju Jorku në Paris në vitin 1927, Çarls Lindberg u bë një ikonë ndërkombëtare dhe fytyra e industrisë së sapolindur të aviacionit. Ai u martua me En Moroun në vitin 1929 dhe çifti pati gjashtë fëmijë. Por familja u shkatërrua kur fëmija i tyre i parë, Çarls i Riu, u rrëmbye dhe u vra në një ngjarje që u cilësua si “krimi i shekullit”.

Ndërsa familja jetonte në Europë për t’i shpëtuar vëmendjes së mediave, Lindbergu shprehte pikëpamje të diskutueshme pro-naziste. Ai gjithashtu pati fshehurazi të paktën shtatë fëmijë me tri gra gjermane, dy motra dhe sekretaren e tij personale. Jeta e tij e dyfishtë mbeti e fshehtë deri në fillim të viteve 2000, kur testet e ADN-së konfirmuan atësinë e tij.

Hedi Lamar

Image

Aktorja austriake Hedi Lamar ishte një yll i Hollivudit që, krahas karrierës së saj, merrej edhe fshehurazi me shpikje. Pasi u martua me një tregtar armatimesh me lidhje fashiste, ajo u njoh me shkencëtarë ushtarakë, gjë që i zgjoi një interes të përjetshëm për shpikjet. Më vonë nënshkroi kontratë me studion MGM dhe luajti përkrah aktorëve si Klark Gejbl, por u lodh duke u trajtuar gjithmonë si “joshësja ekzotike”.

Pasi u miqësua me kompozitorin Xhorxh Antëill, të dy zhvilluan një sistem radioje për drejtimin e silurëve, i projektuar për të shmangur bllokimin e frekuencave gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata e patentuan shpikjen në vitin 1941. Edhe pse Marina amerikane e refuzoi në atë kohë, teknologjia e tyre u përdor më vonë gjatë Krizës së Raketave Kubane në vitin 1962. Lamar vdiq në janar 2000, në moshën 85-vjeçare.

Isak Njuton

Image

Përveçse revolucionarizoi fizikën, Isak Njuton u angazhua edhe në luftën kundër krimit. Kur një praktikë falsifikimi e quajtur “clipping”, gërryerja e argjendit nga monedhat për ta shkrirë dhe shitur, nisi të destabilizonte ekonominë angleze, Kurora kërkoi ndihmën e Njutonit.

Nga viti 1699 deri në vdekjen e tij në 1727, ai shërbeu si drejtues i Mintit Mbretëror dhe hetoi rrjetet e falsifikuesve. Njutoni ndihmoi personalisht në shkatërrimin e një skeme të madhe të drejtuar nga mashtruesi Uilliam Çallëner. Ai gjithashtu futi skajet e dhëmbëzuara në monedha dhe përmirësoi teknikat e gdhendjes për ta bërë më të vështirë falsifikimin në të ardhmen.

Koko Shanel

Image

Dizajnerja ikonike franceze Koko Shanel fshihte një sekret të errët: ajo ishte bashkëpunëtore e nazistëve. Pasi nisi një marrëdhënie me baronin Hans Gynter fon Dinklage, një oficer i njohur i inteligjencës naziste, Shanel filloi t’u përcillte informacione kontakteve naziste. Në këmbim, ajo përfitoi privilegje gjatë luftës dhe madje banoi në Hôtel Ritz, një nga qendrat e inteligjencës naziste, gjatë pushtimit të Parisit.

Shanel u përpoq gjithashtu të përdorte ligjet naziste të “arianizimit” për t’i hequr familjes hebreje Vertajmer pjesën e saj në kompaninë Parfums Chanel. Por plani dështoi pasi familja Vertajmer ia transferoi pronësinë një bashkëpunëtori johebre.

Nën emrin e koduar “Uestminster”, Shanel ndërmori disa misione inteligjence, përfshirë Operacionin Modellhut, i cili dështoi. Kur autoritetet franceze e morën në pyetje pas çlirimit në vitin 1944, ajo u lirua pa akuza, raportohet falë miqësisë së saj me Uinston Çërçillin, dhe më vonë rindërtoi perandorinë e saj të modës nga Zvicra.

Mata Hari

Image

E lindur me emrin Margareta Zele, Mata Hari ishte një valltare ekzotike holandeze, e akuzuar për spiunazh në favor të Gjermanisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ajo e rindërtoi identitetin e saj në Paris, duke u paraqitur si një princeshë javaneze, dhe u bë një artiste e famshme dhe shoqëruese e zyrtarëve të fuqishëm europianë.

Si shtetase e një vendi neutral, ajo mund të udhëtonte lirshëm nëpër Europë, gjë që tërhoqi vëmendjen e inteligjencës franceze. Ajo pranoi të spiunonte për Francën në këmbim të ndihmës për të takuar të dashurin e saj rus, i cili ishte plagosur. Më vonë u arrestua dhe u akuzua se ishte agjente e dyfishtë gjermane.

Pas një gjyqi të mbështetur kryesisht në prova rrethanore, ajo u ekzekutua me pushkatim në vitin 1917. Sot, historianët e shohin kryesisht si një oportuniste dhe jo si një spiune të sofistikuar, madje është e mundur që të ketë shërbyer si një kokë turku.