Ballina Ekonomia ATP nis vendimet për pronat në shtator: Dosjet e paplota rrezikojnë rrëzimin

ATP nis vendimet për pronat në shtator: Dosjet e paplota rrezikojnë rrëzimin

47
0

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) do të nisë nga muaji shtator nxjerrjen e vendimeve për kërkesat për njohje pronësie, ndërsa u ka bërë thirrje subjekteve të interesuara që të plotësojnë dokumentacionin e munguar në dosjet e tyre.

Në një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, ATP bën të ditur se një numër i konsiderueshëm dosjesh rezultojnë ende me dokumentacion të paplotë, pavarësisht se subjektet janë njoftuar më parë për nevojën e plotësimit të tij.

Situata mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për kërkesat e paraqitura. Agjencia paralajmëron se mungesa e dokumentacionit të kërkuar mund të çojë në përfundimin e shqyrtimit të dosjes me vendim për mosnjohje pronësie ose rrëzim të kërkesës.

Për këtë arsye, subjektet që kanë një kërkesë në proces pranë ATP-së duhet të verifikojnë nëse dosja e tyre përmban të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe, në rast se janë njoftuar për mangësi, ta plotësojnë atë.

Edhe në rastet kur ATP vendos mosnjohjen e pronësisë apo rrëzimin e kërkesës, subjektet kanë të drejtën e ankimit.

Sipas njoftimit, çdo subjekt mund ta ankimojë vendimin brenda afatit ligjor 30-ditor në gjykatën kompetente të apelit.

Një tjetër element që ATP kërkon të mos neglizhohet është përditësimi i të dhënave personale dhe të kontaktit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në prag të nisjes së procesit të nxjerrjes së vendimeve, në mënyrë që qytetarët të marrin njoftimin brenda afateve.

Agjencia u kërkon subjekteve të përditësojnë pranë saj adresën e banimit dhe të dhënat e tjera të kontaktit, nëse këto kanë ndryshuar.

Njoftimi merr rëndësi për të gjithë qytetarët dhe subjektet që kanë dosje të vjetra apo kërkesa ende në shqyrtim për njohjen e pronësisë. Me nisjen e nxjerrjes së vendimeve nga shtatori, mosplotësimi në kohë i dokumentacionit mund të sjellë mbylljen e procesit administrativ me një vendim negativ, duke e zhvendosur më pas çështjen drejt procesit gjyqësor në rast ankimi./ekofin.al