Ballina Ekonomia DIVA 2025, rreth 40 mijë individë kanë përfituar rimbursim deri tani

DIVA 2025, rreth 40 mijë individë kanë përfituar rimbursim deri tani

64
0

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Administrata Tatimore ka avancuar me procesin e rimbursimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), ndërsa deri tani kanë përfituar 39 965 individë.

Në një konferencë për shtyp, Malaj u shpreh se Administrata Tatimore ka identifikuar gjithsej 41 195 individë që plotësojnë kushtet për rimbursim.

“Për sa i përket rimbursimit të DIVA-s, në total nga ana e Administratës Tatimore janë identifikuar 41 195 individë të cilët kanë kaluar tashmë për rimbursim. Nga këta, janë rimbursuar 39 965 individë, me një vlerë totale prej 597.8 milionë lekë”, tha Malaj.

Sipas ministrit, përfitues janë individët që kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, si edhe familjet me një ose dy fëmijë nën moshën 18 vjeç.

Ai bëri të ditur se Administrata Tatimore po vijon punën për përfundimin e rimbursimeve edhe për familjet me më shumë se dy fëmijë.

“Personat që janë rimbursuar janë individë të cilët kanë mbipaguar tatim apo familjet të cilat kanë fëmijë në moshën 18 vjeç. Administrata Tatimore është duke punuar për rimbursimin e individëve me më shumë se dy fëmijë”, theksoi Malaj.

Ministri nënvizoi se fondi i parashikuar për procesin e rimbursimit të DIVA-s është 1,5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro.