Ballina Kronika Nga “Lulet e së keqes” te “i tmerrshmi i Beratit”: si u...

Nga “Lulet e së keqes” te “i tmerrshmi i Beratit”: si u kap në Greqi Lulzim Caka, i kërkuari shqiptar që dyshohet se ruante kokainën e fshehur në trëndafila

54
0

Operacioni grek u quajt “Lulet e së keqes”, por pas trëndafilave nuk kishte romantikë. Kishte kokainë kolumbiane, kërcell plastikë, një lulishte fantazmë, një vilë në Marathona dhe një emër të njohur për drejtësinë shqiptare: Lulzim Caka.

Sipas mediave greke, operacioni i AADE/DEOS u zhvillua pas informacioneve të ardhura edhe nga DEA amerikane në Athinë. Në qendër të hetimit ishte një rrjet që importonte kokainë nga Kolumbia, të fshehur në ngarkesa me trëndafila. Ngarkesa nisej nga Bogota, kalonte përmes Kanadasë për të ulur dyshimet në sistemet e kontrollit dhe më pas mbërrinte në Greqi si dërgesë lulesh.

Në total, autoritetet greke zbuluan 80 kuti me trëndafila. Në 15 prej tyre, kërcellet nuk ishin natyralë, por plastikë, të mbushur me kokainë. Në majë vendosej lulja e vërtetë, ndërsa droga fshihej brenda kërcellit. Sasia e parë e sekuestruar shkoi në 84 kilogramë kokainë, sipas raportimeve të Proto Thema⁠ dhe CNN Greece⁠.

Katër persona u arrestuan në një lulishte në Artemida/Loutsa, ku dyshohet se po ndanin kërcellet e mbushura me drogë për t’i çuar më pas në Marathona. Goditja e dytë u bë në një vilë me qira, ku u arrestuan dy persona të tjerë: babai dhe djali. Në këtë vilë, sipas mediave greke, u gjetën edhe 2 kilogramë kokainë, pajisje paketimi, një laborator i vogël për përgatitjen e lëndës, një armë e varrosur në oborr dhe një makinë luksoze.

Pikërisht këtu hyn emri shqiptar. Mediat greke raportojnë se njëri prej të arrestuarve ishte i huaj, i akuzuar edhe për vrasje, ndërsa ndaj tij ekzistonte urdhër arresti nga Shqipëria. Burimet shqiptare e identifikojnë këtë person si Lulzim Caka, i njohur në kronikën e viteve ’90 si “i tmerrshmi i Beratit”.

Caka nuk është emër i ri për drejtësinë shqiptare. Ai është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Pëllumb Eminit në Lushnjë, në korrik 1997, si dhe për tentativë vrasjeje ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, në mars 1998. Në vitin 2019, ai u lirua para kohe nga burgu i Lushnjës për shkak të një përllogaritjeje të gabuar të dënimit. Pas skandalit, Ministria e Drejtësisë e shpalli në kërkim, ndërsa drejtori i burgut u arrestua. Në vitin 2022, Greqia refuzoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave të raportuara në Shqipëri, Caka jetonte në Greqi me emrin John Franco. Arrestimi i tij në Marathona e rikthen në qendër të një dosjeje shumë më të madhe: jo më vetëm si i dënuar i vjetër i viteve të trazuara shqiptare, por si pjesë e dyshuar e një rrjeti ndërkombëtar droge që lidhte Kolumbinë, Kanadanë dhe Greqinë.

Hetimi grek nuk është mbyllur me kaq. Më 12 shtator, në një ndërtesë në ndërtim pranë vilës së marrë me qira, autoritetet greke gjetën edhe 26.8 kilogramë kokainë të paketuar, bashkë me municion dhe një thikë. Sipas raportimeve greke, paketimi kishte të njëjtat shenja me materialet e gjetura më herët, duke e lidhur edhe këtë sasi me të njëjtin rrjet. Kjo e çon sasinë totale të lidhur me grupin në mbi 110 kilogramë kokainë.

Operacioni “Lulet e së keqes” zbuloi një skemë të sofistikuar: kompani fantazmë, dërgesa të përsëritura, itinerar i maskuar përmes Kanadasë, lule të vërteta në majë dhe kokainë e fshehur në kërcell. Por për Shqipërinë, lajmi ka një peshë tjetër. Në mes të kësaj dosjeje shfaqet një emër i njohur i krimit shqiptar, i liruar gabimisht nga burgu, i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i strehuar prej vitesh në Greqi.

Një dosje që nis me trëndafila nga Bogota, por përfundon te një pyetje shumë shqiptare: si arriti një i dënuar për vrasje, i liruar gabimisht dhe i kërkuar nga shteti shqiptar, të përfundojë në një vilë greke ku policia gjeti kokainë, armë dhe gjurmët e një rrjeti ndërkombëtar droge?